Kosova
Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në rajon
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Kopaonik të Serbisë, për të biseduar për gjendjen e sigurisë rajonale.
Në një njoftim për media, misioni paqeruajtës në Kosovë tha se ky takim ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta të Utulashit me homologët e vet ushtarakë.
“Gjeneralmajor Utulash dhe gjenerali Mojsilloviq ndanë qëndrimet e tyre për gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal, si dhe për aktivitetet bashkëpunuese, përfshirë patrullimet e sinkronizuara përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se në takimi u mbajt me ftesë të Mojsilloviqit dhe se në të u diskutua për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe për bashkëpunimin e deritanishëm.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka kërkuar nga komandanti i KFOR-it që forcat ndërkombëtare të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe të parandalojnë me shpejtësi çdo përpjekje për të rrezikuar popullatën serbe”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe.
Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës mbetet e tensionuar prej 29 majit të vitit të kaluar, kur u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it gjatë përleshjeve në protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje.
Pikërisht në njëvjetorin e dhunës në Zveçan, KFOR-i ka kërkuar që të përfshirët në sulmet ndaj pjesëtarëve të këtij misioni të vihen para para drejtësisë.