Connect with us

Politike

Komisioni antikorrupsion, Basha: Gjethe fiku për mazhorancën

Komisioni i posaçëm antikorrupsion i propozuar nga mazhoranca socialiste ka qenë temë debati në nisjen e seancës së sotme parlamentare. Lulzim Basha e konsideron këtë lëvizje të socialistëve si një “gjethe fiku”.

Lulzim Basha: Procedura është që sot sillni në këtë sallë një propozim për një komision që siç dihet fare mirë krijohet kur do të varrosësh një ide të mirë apo do të mos bësh asgjë. Zonja kryetare e Kuvendit, prej më shumë se një muaji në Kuvend janë depozituar amendamentet e PD-së për të ndihmuar SPAK-un financiarisht me burime njerëzore dhe me amendimet e kodit të procedurës penale. Pse refuzoni të paktën ta sillni për diskutim? Çfarë ju shtyn të mbani për më shumë se gjashtë muaj e gjysmë larg transarencës, larg debatit parlamentar, larg votimit në parlament, propozimin tonë për barazinë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë para ligjit përmes heqjes së imunitetit parlamentar? Pse bëni sikur nuk e shikoni propozimin tonë, ligjin për vetingun e politikanëve që ka që në 15 Nëntor në Kuvend? Ju terminuat në mënyrë më tinëzare komisionin e Reformës Zgjedhore duke skaduar afatet muaj pas muaji në mënyrë që të organizoni një tjetër batërdi elektorale. Edhe komisioni që doni të krijoni nuk është gjë tjetër veçse një gjethe fiku për 10 muaj që i ka mbetur një mazhorance 11 vjet zhytur kokë e këmbë në komision.

Bashës iu përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Kjo e fundit tha se Basha ka “paqartësi historike” pasi nuk i përputhet asnjëherë ajo që thotë me atë që bën.

Elisa Spiropali: Parafolësi përmendi këtu komisionin që do votojmë sot, të cilin ne kërkojmë, synojmë dhe do ta bëjmë, një komision që përfshin jo vetëm diskutime, analiza politike të ditës, por do ta ngremë në nivelin e një komisioni që do të përfshijë dhe prodhojë një plan kombëtar jo vetëm kundër korrupsionin por edhe mbi mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit. Keni një paqartësi historike zoti Basha edhe kronike, sepse nuk ju përputhet asnjëherë ajo që thoni me atë që bëni. Ju thoni me fjalë që e mbështesni reformën në drejtësi, por kur atëherë kur nuk ishit ca pak deputetë, të katandisur si një grup i vogël si pakicë e pakicës, dhe kur ishit në krye të asaj partie, ju braktisët zgjedhjet dhe u braktisët Kuvendin për të mos votuar ligjet që rridhnin nga reforma në drejtësi. Ju flisni për vetingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit kur vetë keni dëshmuar atëherë kur ju ishit në kalë, se sot nuk keni ç’dëshmoni se sot mund të propozoni gjithçka me lehtësinë e njeriut që nuk ka asgjë në dorë, por atëherë kur i kishit ju vetë keni shpëtuar me procedurë nga hetimet e gjykimet. Nuk i kishit në dorë ju, i kishte babai juaj politik, por patjetër ju ishit dakord jo vetëm për fatin tuaj, por edhe mazhorancës suaj që mbrohej me gardianët e drejtësisë së vjetër të cilën e kishit në kontroll. Vetingu në politik po bëhet nga SPAK sepse SPAK-u heton politikanët dhe është pikërisht SPAK-u që ne e kemi lënë të lirë, i kemi çliruar duart dhe e kemi nxjerrë nga kontrolli politik pikërisht për të bërë atë, për të hequr edhe imunitetet kur duhet. Për të hetuar, për të çuar në gjykatë e për të dënuar siç po ndodh sot e gjithë ditën e siç nuk ndodhte asnjëherë kur ju ishit kaluar e pak më i ri se sot.

 

Advertisement