OPINION
Unë në burg nga SPAK, Prokuroria apo Policia, ose Top Channel dhe Fiks Fare të më kërkojnë ndjesë publike
Nga Arian Galdini
Të dashur e të nderuar gazetarë e moderatorë të mediave shqiptare,
Të dashur e të nderuar analistë, opinionistë, opedistë, kolumnistë, etj, etj, etj,
Unë që po ju drejtohem sot jam Askushi.
E megjithatë diçka po më grisht brenda meje që të ulem e ti shkruaj disa rreshta për ju, e ndoshta me fjalët e mia kushedi edhe ia dal të kap ndonjë grimcëz vëmendje nga ajo e juaja që duket se është e tëra e folusuar vetëm tek dikushët dhe gjithkushët.
Pak gjasa ka, por edhe mundet të ndodhë që në botën e dikushëve dhe gjithkushëve, ndonjëherë edhe të bëhet një copëz vend për ndonjë askush.
Por edhe po nuk ma bëtë një copë vend në ndonjë grimcëzvëmendje tuajën, për mua nuk është aspak dramatike e as humbje e madhe sepse, unë askushi jam e jam mësuar në këtë universin tim paralel pa ju, larg jush e pavarësisht jush.
Lejomëni ta nis me një prezantim të vogël: Unë jam Arian Galdini. Shpesh si askushi që jam përflitem si ai njeriu që ka ndërruar mbiemrin nga Saliaj në Galdini.
Po, e vërtetë është.
Prej vitit 1974 e deri në fillimin e viteve 2000 kam qenë Arian Saliaj, i biri i Pëllumb Saliaj dhe i Teuta Saliaj, i lindur në 11 dhjetor 1974, në qytetin e Lushnjes. Dikur, pa kërcënimin e Greqisë e pa joshjen e Italisë, e madje edhe pa të shkuar të errët kriminale apo sekrete a problematika për të fshehur a shmangur, por thjesht sepse u bëra besimtar i krishterë i pagëzuar dhe krezmuar, vendosa të zgjedh mbiemrin Galdini si identitetin tim të ri që përputhte besimin e thelbin tim edhe me formën time.
Kaq e thjeshtë është kjo punë.
Përndryshe, kush ka dilema apo pikëpyetje nga ju, ju ftoj të gjithëve të bëni detyrën tuaj si gazetarë e të investigoni e ti gjeni e bëni publike të gjitha gjetjet tuaja.
Si askushi që jam, shpesh ndër ju më njohin edhe si Zëdhënësin apo Këshilltarin e Fatos Nanos.
Nuk e di sesi mund ta nderoni një askush si mua me kaq shumë thashetheme, ama ju them se me Fatos Nanon jam takuar e njohur për herë të parë në vitin 2012, kur ai po planifikonte të kandidonte për President Republike. Nuk kam qenë kurrë asnjë ditë, as zëdhënësi e as këshilltari i Fatos Nanos e aq më pak Nanoist.
Ju kujtoj se Fatos Nano në vitin 2012, ishte për vete një ish i përsosur. E vetmja gjë që kam bërë ka qenë pranimi miqësor i përgjegjësisë informale si Kordinatori i Fushatës së Fatos Nanos për President Republike vetëm 30 ditë në pranverën e 2012.
30 ditë, vetëm 30 ditë e kam ndihmuar e mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President. Kaq. Asgjë më shumë.
Nuk e di pse janë ngritur male të tëra me bojë gazetash e thashetheme portalesh dhe përgojime militantësh nëpër korridore partishë për një askush si mua, veç ju lutem mos mbivlerësoni në këtë farë feje 30 ditë.
Në 30 ditë me Fatos Nanon në vitin 2012, nuk u bëra as zëdhënës e as këshilltar e as nanoist.
Në 30 ditë me Fatos Nanon u bëra thjesht një mik i largët dhe pa detyrime me të.
E jua them haptazi që për Fatos Nanon kam krijuar respekt e vlerësim të veçantë sepse ai e meriton.
Tjetër, prej 26 dhjetorit 2022, një askush si unë është sulmuar masivisht nga Top Channel dhe emisioni Fiks Fare, prej nga ku si kurrë më parë në historinë e investigimit gazetaresk, janë nxjerrë 7 njerëz me vetëdeklarime e videofilmime nga celularët e tyre, të cilët pa prova, pa fakte, pa verifikime, pa asnjë grimcë vërtetësie e madje as arsyetime e logjike, kanë vjellur vrer, sharje, etiketime, fyerje, baltë e shpifje ndaj meje duke më shpallur si hajdut emigrantësh, si hajdut kuotash partie dhe si mashtrues emigrantësh. Një emision i plotë i Fiks Fare i dedikuar për të përbaltur dhe denigruar një askush si Arian Galdini.
Prej atij 26 dhjetori 2022, kam pritur që SPAK, Prokuroria apo Policia të vijnë të më shpallin akuzat e të më vënë prangat e arrestojnë, ose në të kundërt Top Channel dhe Fiks Fare duhet të më kërkojnë të falur e të më japin mundësinë të përballem ose shpalos të vërtetën time.
Ende as SPAK, as Prokurori, as Polici, as pranga për mua, e as ndjesë publike nga Top Channel e as nga Fiks Fare.
Ndaj, sot po kërkoj publikisht dhe zyrtarisht që SPAK, Prokuroria apo Policia të vijnë të më arrestojnë, ose Top Channel dhe Fiks Fare të më përballin, të më kërkojnë ndjesë publike e të më japin mundësinë të them të vërtetën time.
Më tepër se kaq nuk kam çthem.
Jam në dispozicion të SPAK, Prokurorisë apo Policisë, ose e ftoj a sfidoj Top Channel që të më përballin ose të më kërkojnë ndjesë publike e të më japin mundësinë të them të vërtetën time.
Unë atë përbaltje të organizuar, kriminale, me shërbim bandash e politik nga Fiks Fare nuk e fal.
Ose unë në burg nga SPAK, Prokuroria apo Policia, ose Top Channel dhe Fiks Fare të më kërkojnë ndjesë publike.
Sfida është publike dhe e hapur, ose unë në burg, ose atë sulm të ndyrë e mafioz me shërbesë bandash dhe politik të Top Channel e Fiks Fare kundër meje, nuk e fal.
Tani pas këtij prezantimi për veten time po ju drejtohem për tju shpjeguar arsyen e kësaj deklarate a letre a përsiatjeje, quajeni si të doni, drejtuar juve.
Në vitin 1990, Shqipëria u ngrit në këmbë kundër monizmit dhe diktaturës komuniste.
Ia dolëm mbanë të krijonim një dekor pluripartiak, por ende nuk ia kemi dalë mbanë të organizojmë në Shqipëri, realisht dhe vërtetësisht zgjedhje të lira e të ndershme dhe të barabarta.
Dhe ja ku jemi sot pas 33 vitesh e madje gati 34 vitesh.
Partia e lindur në 8 nëntor 1941 si Partia Komuniste Shqiptare, e cila në vitin 1944 mori pushtetin e paskëtaj ndryshoi emrin dhe u bë Partia e Punës së Shqipërisë, ka qëndruar e vetme në pushtet deri në dhjetorin 1990.
PPSH, në qershorin 1991, ndryshoi përsëri emrin dhe u bë Partia Socialiste.
Nëse llogarisim vitet e qëndrimit në pushtet të PKSH – PPSH nga 1944 deri në vitin 1990, bëhen jo pak por 46 vite.
Po të shtojmë këtu edhe 2 vite nga 1990 deri në 22 mars 1992, bëhen 48 vite.
Shtojani këtyre 48 viteve edhe 8 vite pushtet të PS nga vitit 1997 deri në vitin 2005, e bëhen 56 vite.
Llogarisni pak që kjo parti ka edhe 11 vite të tjera prej vitit 2013 në pushtet e kësisoj bëhen plot 70 vite pushtet.
1 parti që ka ndryshuar 3 emra dhe vetëm 4 udhëheqës, nga Enver Hoxha tek Ramiz Alia, pastaj nga Fatos Nano tek Edi Rama dhe nga 1944 deri në vititn 2024 ka 70 vjet në pushtet.
A nuk ju duket kjo dramatike, katastrofike, e tmerrshme?
Kjo parti ka 70 vjet në pushtet e dikur para vitit 1990 i bënte zap shqiptarët me këshillat popullore, frontin demokratik, sigurimin e shtetit dhe fuksat ndërsa sot i mban nën terrorin e patronazhistëve.
Këta që Partia e 70 viteve pushtet i quan patronazhistë unë i quaj patronazistë.
Patronazistët janë agresion i drejtpërdrejtë ndaj lirive demokratike, lirive politike dhe pluralizmit.
Patronazistët janë kudo dhe kontrollojnë jetën reale dhe virtuale të çdo shqiptari.
Kjo makineri kontrolli sigurisht që ka sjellë këtë realitet politik e social kur askush nuk mund të flasë e veprojë më me guxim, liri e vetëdije qytetare.
Patronazistët janë në lagje, fshatra, diasporë, media, Fiks Fare, ngado e kudo, për të shantazhuar, cënuar, baltosur, kërcënuar dhe rrëmbyer lirinë e kurajon e kujtdo.
Gjithkushët janë lart shumë lart dhe e di që ju i dini giithashtu shume mirë se kush janë.
Kështu që nuk po ju humbas kohë tju flas e shkruaj për Gjithkushët, sepse ata ju paguajnë rrogat e ju mbajnë.
Janë ata që ju bëjnë juve që në botën e dikushëve, juve të jeni më dikushër se dikushët e tjerë.
Gjithësesi dua tju flas pak për dikushët.
A kuptoni vallë se në një Shqipëri të Partisë me 70 vite Pushtet, e me një ushtri me patronazistë, nuk ekziston ai dikushi që mundet të dalë në pah pa lejen e gjithkushëve???
A e kuptoni vallë, që çdo dikush që qarkullon në studiot tuaja, në korridoret tuaja, në mendjet tuaja, në lajmet e tavolinat a banaqet tuaja, është dikush me leje nga gjithkushët???
Prandaj, si askushi që jam unë, ju bëj thirrje sot:
Ju lutem, ju përgjërohem, braktiseni për një hop botën e gjithkushëve dhe dikushëve.
Ju lutem, bëni një hedhje në vetëshqyrtim e takoni ndërgjegjen tuaj.
Në vitin 2025, Partia e Enver Hoxhes dhe e Edi Ramës, mund të shkojë drejt marrjes së një mandati tjetër 4 vjeçar, që do ta çonte këtë Parti drejt 74 viteve pushtet.
Edhe i pikuari i qiellit të ishte Edi Rama, edhe Këshilli i Shenjtorëve po të ishte Partia Socialiste, ky fakt historik dhe jetik i 70 viteve pushtet në kërkim të 4 viteve më shumë, tregon as më shumë e as më pak se ne të gjithë, disa në përpjekje për të siguruar jetën, disa në përpjekje për të qenë dikushër, jemi bërë humbësit e mëdhenj të ndërgjegjes.
Ka ardhur loha për një zgjim të madh kombëtar.
Ka ardhur koha për një lëvizje të madhe për vetëdijësim social e kombëtar.
Përndryshe, po nuk e bëmë këtë, ju lutem, kuptojeni që unë e kam ndarë mendjen të jem një askush që do tju bezdisë papushim nga universi im paralel.