Connect with us

Sport

Shanset për të bërë mrekullinë janë të pakta”, Altin Rraklli analizon Kombëtaren: Ja çfarë duhet të kemi objektiv

Nga Fatjon Baze

Kombëtarja shqiptare po kalon një moment fantastik në prag të nisjes së ndeshjeve të fazës së grupeve të “Euro 2024”.

Atmosfera tek kuqezinjtë paraqitet shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët janë shfaqur të karikuar në çdo seancë stërvitore, duke shfaqur impenjim dhe seriozitet maksimal në çdo moment.

Për të analizuar këtë moment të Kombëtares ka folur në një prononcim për gazetarin e Gazetës TemA Fatjon Bazen, ish sulmuesi i spikatuar i Shqipërisë Altin Rraklli.

Rraklli ka analizuar për Gazetën TemA gjëndjen që po kalon ekipi dhe shanset që kuqezinjtë kanë për të bërë mrekullinë në grupin B ku bëjnë pjesë kombëtaret më të forta të Europianit si Italia, Spanja dhe Kroacia.

“Në fakt duke u nisur nga ndeshjet e fundit miqësore nuk është se mund të jap ndonjë ide të saktë për gjendjen aktuale sepse dhe kundershtari i fundit ishte shum i lehte.

Megjithatë uroj shumë që të gjithë aktorët të jënë në gjendje perfekte fizike, sepse shpirtërore besoj se e kanë, veçanerisht lojtarët që kanë pak minuta me ekipet e tyre.

Shanset për të kaluar janë shumë të vështira për të qenë realist. Por në rrethana të veçanta jo të pamundura. Nëse do vendosemi shumë mirë mbrapa mos t’i lejojmë asnjë hapesirë kundërshtarit dhe vete t’i shfrytesojmë në maximum rastet që do na jepen, atehere do kemi një mundesi që ta kalojm grupin”, shprehet Altin Rraklli.

Në vijim i pyetur se kush duhet të jetë objektivi i Kombëtares shqiptare në këtë Europian dhe kush është pika me e fortë e kësaj skuadre të ndërtuar nga trajneri Silvinjo, Rraklli thekson:

“Si skuader modeste dhe e re ne këtë kompeticion duhet të kërkojm te tregojm krakter dhe personalitet. Kjo në mënyrën që do të prezantojmë veten e që do të na shërbejë për të ardhmen. Ky duhet të jetë një objektiv.

Patjetër që grupi është grupi është forca kryesore që ka kjo Kombëtare pa lënë mënjanë edhe kualitetet individuale në raste të veçanta”, shtoi Rraklli,

Në fund i pyetur se sa beson që Shqipëria mund të bëjë mrekullinë në këtë grupi ai tha:

“Unë gjithmonë me zemer mendojë se do arrijmë të marrim maksimumin, por mendoj dhe ftohte e realist që në finale përballesh me më të fortët dhe patjeter që shpresa për të kaluar grupin bëhet dhe më e vakët normalisht”, përfundoi Altin Rraklli.

Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë këtë të premte miqësoren e fundit dhe më pas më datën 8 qershor do të niset për në Gjermani, si skuadra e parë që mbërrin për finalet e Euro 2024, për t’u akomoduar në Kaiserau Sportcenter, aty ku do të qëndrojë përgjatë gjithë turneut.

Advertisement