Connect with us

Bota

Kryeministri çek bën deklaratën e fortë: Rusia mund të jetë pas tentativës për zjarrvënie në Pragë

Autoritetet çeke dyshojnë se Rusia mund të jetë përgjegjëse për një tentim për t’ua vënë zjarrin autobusëve të transportit publik në Pragë javën e kaluar, tha të hënën kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.

Një i dyshuar, 26 vjeç, u arrestua të shtunën dhe ngarkohet me akuzën për terrorizëm në lidhje me sulmin e dështuar të së enjtes. I dyshuari, i cili vjen nga Amerika Latine, mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor, tha shefi i policisë Martin Vondrasek.

“Ka dyshim se sulmi me gjasë u organizua dhe u financua nga Rusia”, tha Fiala. Ai theksoi se sulmi i dështuar ishte mbase pjesë e luftës hibride të Rusisë kundër vendit të tij. Fiala shtoi se ky tentim ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë “për ta minuar besimin e qytetarëve në shtetin tonë”.

Çekia është mbështetëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus, i cili nisi më 2022. “Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë”, tha Fiala, duke përmendur një shpërthim të madh në një depo municioni që dyshohet se u shkaktua nga spiunët rusë. Liderët çekë thanë më 2021 se kishin dëshmi që provonin pjesëmarrjen e dy agjentëve nga agjencia ushtarake e spiunazhit e Rusisë në shpërthimin e vitit 2014, ku u vranë dy njerëz. Rusia e ka mohuar e ka gisht.

 

 

Pas sulmit të së enjtes me zjarrvënie, ministri i Brendshëm çek Vit Rakusan sugjeroi se sulme të ngjashme mund të planifikohen në vendet e tjera evropiane, por nuk pranoi të japë hollësi. Policia e rriti sigurinë në kryeqytetin çek gjatë fundjavës, për shkak të këtij rasti që ndodhi në kohën kur po mbaheshin zgjedhjet për Parlamentin Evropian./Rel/

Advertisement