Politike
Basha me të rinjtë në Korçë ‘thumbon’ dyshen Rama-Berisha
“Shqipëria nuk do të jetë peng i një grushti njerëzish që kanë hallet e tyre me drejtësinë, asgjë nuk do t’i ndalojë demokratët të mbrojnë dhe përfaqësojë idealet e lirisë, demokracisë, të mbrojnë dhe ruajnë aleancat euroatlantike dhe të mishërojnë ëndrrat e shqiptarëve për ndryshim”. Këtë deklaroi Lulzim Basha nga Korça nga ku zhvilloi një aktivitet me të rinjtë e këtij qyteti.
Basha tha se sot beteja është mes shqiptarëve që duan ndryshim dhe aleancës Rama-Berisha që duan ta mbajnë status quo-në, ta përdorin Shqipërinë për hallet e tyre.
Ai gjithashtu u shpreh se në 90-ën, të rinjtë qëndruan dhe fituan betejën me regjimin më të egër komunist të Europës, që për shumëkënd dukej e pamundur dhe sot, përtej sfidave dhe vështirësive, të rinjtë do t’i prijnë këtij ndryshimi historik që u kthen Shqipërinë shqiptarëve dhe e nxjerr nga kthetrat e një grupi politikanësh të korruptuar, që duan ta përdorin si plaçkën e tyre.
Teksa diskutonte për aktualitetin, Basha u ndal te alternativa e PD për të rinjtë, e cila u shpalos në Kuvendin Programor, rezultat i punës i mbi 100 ekspertëve vendas e të huaj.
Basha tha se këto janë investime plotësisht të realizueshme, që frenojnë largimin e të rinjve.
Ekonomia e re. Cila është ekonomia e re? Që nga teknologjia e informacionit, tek robotika, tek energjia e rinovueshme, te bioteknologjia. Dhe me këto profesione ne mund t’i mbajmë të rinjtë shqiptarë këtu në Shqipëri me rroga minimale prej 2 mijë eurosh në muaj. Kush do ta lërë Korçën në qoftë se nesër ka një diplomim dhe një profesion që paguan 2 mijë euro në muaj? Askush nuk do ta lërë. Ky investim është plotësisht i mundshëm. Është një fraksion i abuzimeve të kësaj qeverie me inceneratorët.” – theksoi Basha.