Connect with us

Politike

‘Edhe Berisha është sot 4 herë më i pasur…’/ Veliaj mburret me sukseset e PS-së

Në një takim me strukturat e PS së Dajtit, Lagjes 12, Shëngjergjit, Krrabës, Zall Herrit, Zall Bastarit, dhe Bërzhitës, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se edhe ata që djegin goma para godinës së Bashkisë së Tiranës sot jetojnë më mirë, falë punës së bërë nga socialistët.

“Edhe ata që djegin goma shkojnë në një shtëpi e cila u vlen tre herë më shumë. I çojnë fëmijët në një shkollë si “Emin Duraku”, si “Sami Frashëri”, si “Kosova”. I çojnë fëmijët e tyre në shkolla me standarde europiane sot, ecin në rrugë të standardit europian. Diferenca është që kur shërben PS-ja, edhe ata që djegin goma, ata që vranë socialistët në 21 janar, ata që rrëmbyen socialistët me SHIK-un e Saliut, jetojnë në një qytet që prona u vlen më shumë, shtëpia iu vlen më shumë, rroga u vlen më shumë, rruga u është bërë më e urbanizuar. Ndaj, kur qeverisin socialistët, edhe kundërshtarët tanë më të paepur jetojnë në një hapësirë më të mirë”, tha ai.

Ai shtoi se edhe vetë Berishës shtëpia i ka marrë vlerë prej punës së bërë për përmirësimin e infrastrukturës. “Merrni rrugën ku jeton Saliu, ku flet përditë dhe shan PS. Rruga “Mustafa Matohiti” ka pasur një rritje të vlerës së pronës 375%. Pra, është rritur thuajse katër herë vlera e pronës së shtëpisë dhe rrugës së Saliut, që kur e ka marrë drejtimin PS. Edhe armiku ynë më i betuar është sot katër herë më i pasur, se flet nga një ballkon që vlen katër herë më shumë, prej punës që ka bërë PS për atë rrugë, për atë infrastrukturë”.

Veliaj theksoi se sot Tirana dhe Shqipëria po përjetojnë ditët më të mira. “Ditët më të mira janë sot. Shqipëria me Edi Ramën ka qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit, ka drejtuar OSBE, jemi sot në Kampionatin Europian, ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe Sportit, e do jemi i Kulturës. Sot jemi në ditët më të mira, por meqë jemi socialistë, ditët më të mira akoma i kemi përpara. Kemi ardhur nga burra dhe gra që kanë 33 vite kontribut të jashtëzakonshëm. Sot janë ditët më të mira falë asaj sakrifice. Imagjinoni sikur ata të ishin dorëzuar, t’i kishin thënë Saliut ‘ke të drejtë, siç vrave katër mund të vrasësh dhe 400’. T’i thoshin Saliut për Remzi Hoxhën, siç rrëmbeve një, mund të rrëmbesh edhe 1000. Mund t’i kishin thënë Saliut, siç vodhe në ‘94 dhe ’96, mund të vjedhësh edhe të tjerat. Nëse ata do ishin dorëzuar, nuk do ishim këtu sot. Prandaj, një duartrokitje për të gjithë ata që e mbajtën, e forcuan, e deshën dhe nuk u dorëzuan, për të pasur këtë forcë të jashtëzakonshme”, nënvizoi ai.

Advertisement