Politike
Katastrofa Energjitike në Ballkan/ Ministrja Balluku zbulon skandalin e përplasjeve të linjës me Greqinë
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku ka dalë në deklaratë për mediat në lidhje me situatën kaotike në vend me ndërprerjen e energjisë elektrike. Gjatë deklaratës, Balluku theksoi se ndërprerja e energjisë elektrike ka nisur nga linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Por shtoi se te njëjtin problem e kanë hasur dhe vendet e tjera të rajonit, përfshi këtu Malin e Zi dhe Kroacinë. Po ashtu theksoi se në Tiranë u rikthye energjia brenda 17 minutash, ndërkohë që në rang vendi u rikthye brenda 30 minutash.
Deklarata e Plotë:
Nga analiza e parë, por sigurisht duhet të marrim kohën tonë për të bërë një analizë të thelluar teknike, rezulton se volumet e mëdha në sistemet e transmetimit në këto momente, por gjithashtu edhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord, kanë krijuar këtë lloj problematike teknike. Duhet thënë se nga puna e mirë që është bërë në terren nga të gjithë specialistët, inxhinierët, teknikët e OST-së kemi arritur të rikuperojmë të gjithë shpërndarjen e energjisë elektrike përmes linjave të transmetimit në rang vendi brenda 30 minutash, ndërkohë që Tirana është rikuperuar në vetëm 17 minuta.
Pavarësisht se tashmë i gjithë vendi furnizohet me energji elektrike, duhet thënë se vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim. Duhet thënë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit në rajon për të bashkërenduar punën me ta dhe sigurisht do të vazhdojmë që të bëjmë analizën e duhur teknike për të gjetur problematikën dhe për ta mbajtur rrjetin të sigurt.