Connect with us

Kosova

Menuja është ajo e zakonshmja, BE-ja zbulon agjendën e takimit Kurti-Vuçiç

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do presë të mërkurën për një raund të ri të negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, ndërsa në bazë të një njoftimi të lëshuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), shefi i diplomacisë evropiane dhe emisari i posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë bilancin se çfarë është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve”.

Kosova dhe Serbia supozohet se arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Për këtë arsye, por edhe për shkak të potencialit shpërthyes të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, pas më shumë se 10 muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohen të mërkurën në Bruksel të Belgjikës për t’i vazhduar negociatat e vështira nën ndërmjetësimin e Borrellit e Lajçakut.

Advertisement