Connect with us

Politike

Berisha nxjerr paketën ekonomike: 200 euro minimum jetik dhe ulje taksash

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi një paketë masash që, sipas tij, synon të përballojë rritjen e çmimeve, të rrisë të ardhurat e qytetarëve dhe të mbështesë sektorin e turizmit.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se rritja e kostos së jetesës është pasojë e politikave ekonomike të qeverisë dhe renditi masat që, sipas tij, do të zbatonte Partia Demokratike.

Sipas Berishës, paketa parashikon vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar, heqjen e TVSH-së ose uljen e saj në 6% për produktet ushqimore, si dhe dyfishimin e pagave dhe pensioneve përmes, siç u shpreh ai, “një politike agresive të rritjes së tyre”.

Kreu i opozitës u ndal edhe te turizmi, duke deklaruar se sektori është përballur me vështirësi për shkak të zhvillimeve ekonomike dhe largimit të fuqisë punëtore.

Për rimëkëmbjen e tij, Berisha propozoi tre masa: forcimin e luftës kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi, rishikimin e sistemit të taksave për hotelet dhe krijimin e një skeme mbështetëse për punonjësit sezonalë gjatë gjithë vitit, me bashkëkontributin e shtetit.

Berisha u rikthye edhe te çështja e TVSH-së për produktet ushqimore, duke argumentuar se heqja e saj është e nevojshme për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve.

Advertisement