Sport
Leao si dopio gjashtë, nuk ka oferta, sulmuesi portugez i ngel në derë Milanit
Pas një sezoni me ulje-ngritje, Rafael Leão nuk arriti të shfrytëzojë Botërorin për të rritur vlerën e tij në tregun europian. Sulmuesi portugez pati një turne larg pritshmërive me kombëtaren e Portugalisë, duke realizuar vetëm një gol ndaj Uzbekistanit dhe një asist kundër Kroacisë, në të vetmen ndeshje ku u aktivizua si titullar. Në total, ai grumbulloi vetëm 158 minuta në pesë takime.
Paraqitjet e tij nuk kanë mjaftuar për të tërhequr interesin e klubeve të mëdha të Premier League apo La Ligës, destinacionet që preferohen nga vetë lojtari. Kjo situatë ka vështirësuar edhe planet e Milanit për të realizuar një transferim me vlerën që synon.
Aktualisht, alternativa më konkrete mbetet Galatasaray. Klubi turk është i gatshëm t’i ofrojë Leãos një kontratë me mbi 10 milionë euro në sezon, por negociatat me Milanin mbeten pengesa kryesore. Oferta e Galatasarayt parashikon huazimin e lojtarit, formulë që është refuzuar nga drejtuesit kuqezi.
Milani pranon të negociojë vetëm nëse marrëveshja përfshin detyrim blerjeje, me një pagesë prej rreth 20 milionë eurosh menjëherë dhe 30 milionë euro të tjera pas një viti. Deri tani, klubi turk nuk ka paraqitur një propozim të tillë, duke e lënë të ardhmen e sulmuesit ende të hapur.
Për drejtuesit e Milanit, shitja e Leãos konsiderohet një hap i rëndësishëm për të financuar afrimet e reja në merkato. Në listën e objektivave janë mbrojtësi Axel Disasi dhe talenti grek Konstantinos Karetsas, edhe pse të dy operacionet mbeten të ndërlikuara. Ndërsa merkatoja po hyn në fazën vendimtare, e ardhmja e Rafael Leãos pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në lëvizjet e klubit italian.