Connect with us

Kosova

Eshtë koha e shkopit, Lajçak për marrëveshjen: S’është çështje relevante në dialogun Kosovë-Serbi

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një panel diskutimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut ritheksoi se formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit të Kurtit e Vucic, nuk është çështje relevente sepse marrëveshja e vitit të kaluar është ligjërisht obligative.

“Së pari, u takon palëve që të përcaktojnë se çfarë saktësisht do të thotë normalizimi i marrëdhënieve. Së dyti, marrëveshja që kemi arritur në shkurt dhe mars të vitit të kaluar, është ligjërisht obligative në tërësi dhe në përputhje me Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve”-  deklaroi Lajçak, duke shtuar se vetëm implementimi është çështje relevante.

“Në fund të fundit, dispozitat e marrëveshjes janë bërë pjesë e kapitullit 35 të Serbisë, pra kjo do të thotë pjesë e marrëdhënieve formale midis Serbisë dhe BE-së. Pra, ne jemi duke shpenzuar shumë kohë rreth një çështjeje që nuk është fort e rëndësishme. Ajo që është e rëndësishme është se ne kemi bërë shumë pak progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, nënvizoi emisari europain

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Ndryshe, një ndër kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që duhen plotësuar nga Serbia si garanci për angazhimin e mëtejmë në dialog dhe rrjedhimisht, fillimin e implementimit të marrëveshjes, vazhdimisht ka qenë edhe formalizimi i Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve përmes nënshkrimit nga liderët përkatës të të dyja shteteve.

Advertisement