Connect with us

Shkrime

“Arma shqiptare” që zhduku Makronin dhe po i nxin jetën Le Penn-it

Nga Ylli Pata

Ka që në orën 20.00 të ditës së djeshme që mediat në Tiranë po flasin për fitoren e ekstremit të djathtë në Francë, ku shumica i kanë caktuar edhe qeverinë.

Në të vërtetë dje në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të Francës, Rassemblement National, ka fituar gati 30% të votave në rang kombëtar.

Pra 1 në 3 francezë kanë votuar ekstremin e djathtë të Mari Le Penn. Por që të fitosh zgjedhjet në një nga vendet më të mëdha të BE-së, duhet të të votojë një në 2 francezë ;pra të marrësh 50 plus një të votave.

Përkatësisht, në Parlamentin me 577 deputetë, Le Penn, ka marrë vetëm 37, ndërkohë ndjekësi i saj i vendit të dytë ka marrë 32.

Partia e Presidentit Emanuel Macron, Ensemble, ka fituar 20% të votave, ndërkohë që republikanët e qendrës së djathtë kanë marrë 6.6%. Pra fitorja e Le Penn, është relative, e për të qenë absolute, duhet që kandidatët e saj, të djelën e ardhshme të fitojnë kundër atyre që janë renditur në vendin e dytë.

Politikisht, të gjithë kandidatët që janë renditur të tretët, kanë bërë të ditur se do tu bëjnë thirrjet zgjedhësve që të votojnë kundër ekstremit të djathtë. Gjasat janë që të ndodhë kjo panoramë, e cila ndodh shpesh në Francë.

E cila ka një sistem zgjedhor, të cilin Shqipëria e ka praktikuar deri në vitin 2001. Sistemin e balotazhit, të cilin e përdorte edhe për zgjedhjen e deputetëve, por edhe të kryetarëve të bashkive. Një sistem, ku fitonte vetëm ai kandidat që arrin mazhorancën absolute, pra 50 plus 1, ndryshe do të garonin sërish pas një ose dy javësh dy kandidatët që renditeshin të parët.

Një sistem korrektues, ku fuqinë e merr gjithmonë qendra apo elektorati gri. Siç ndodh në Francë, ku ekstremi edhe pse mund të ketë një valangë 30% nuk arrin kurrë të bëhet mazhorancë nëse nuk kap shifrën e 51%.

Natyrisht ky nuk është sistem shqiptar, por pastërtisht francez. Shqipëria e mori siç është në vitin 1991 dhe e praktikoi në systemin e saj zgjedhor. Sistem që siguroi një stabilitet politik, por u rrëzua në vitin 2001, pas marrëveshjes Nano-Berisha, të cilët caktuan Jemin Gjanën dhe Kastriot Islamin të përgatisnin një draft të “reformës zgjedhore” që hoqi shumicën absolute si prim fitues.

Në zgjedhjet pasardhëse, pra të vitit 2005, të cilat ishin gjithsesi mazhoritare, ku deputeti zgjdhej direkt, fitonte ai kandidat që merrte qoftë edhe një votë më shumë, pra shumicën relative. Gjë që ndodhi, pasi LSI e Ilir Metës i bëri dëme PS-së në një pjesë të mirë të zonave.

Por qëllimi ishte diku tjetër, ngaqë reforma zgjedhore i jepte kryetarëve të bashkive vetëm 3 vjet mandat nga 4 dhe hyrja në fuqi bëhej menjëherë. E kryetari i bashkisë zgjdhej gjithashtu me shumicë relative. Një ndërhyrje krej pa logjikë, pasi në shumicën e vendeve të Europës, kryebashkiakët zgjidhjen me shumicë absolute ose me balotazh.

E gjitha u bë për të dëmtuar Edi Ramën, që në atë kohë e kishte objektiv si Berisha e si Nano. E kështu, për një ose dy persona u prish i gjithë ai sistem zgjedhor që kishte krijuar traditë, e më pas në 2009, u hodh në erë i gjithë proporcionali. Ndërkaq, kryetarët e bashkive, ende zgjidhen me shumicë relative.

Përse opozita shqiptare; si Berisha apo Basha, nuk rikthejnë këtë sistem që jep shumicës relative të drejtë qeverisëse dhe nuk kthen shumicën absolute, ku realisht elektorati gri apo qendra të jetë determinante?

Në fakt, Berisha e prishi dopio turnin pikërisht nga raporti i tij i keq me elektoratin gri ndër vite. Por ka pasur raste kur ka fituar, përkatësisht atëherë kur i kishte punët e mira me shoqërinë. Ndërsa sot…

Advertisement