Connect with us

Kosova

Kur Serbia ta kuptojë se e ardhmja e saj është në Perëndim, nuk do të ketë probleme me Kosovën

Gjenerali amerikan në pension Wesley Clark tha se nuk mund të ketë stabilitet mes Kosovës dhe Serbisë derisa “Moska të tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni”.

I pyetur nëse mendon se ka rrezik të ri të konfliktit në Kosovë, Clark theksoi se ekziston rreziku i dhunës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Clark u shpreh se “Serbia është si një magnet që tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë”.

“Rruga për të dale nga spiralja e tensioneve është humbja e Rusisë në Ukrainë. Rusia po tërheq mbështetjen e saj për Serbinë dhe Serbia nuk e kupton se e ardhmja e saj është në Perëndim. Kur ta kuptojnë serbët, nuk do të ketë asnjë problem me Kosovën” – deklaroi ish gjenerali I NATO-s duke shtuar: – Rusia ka ambicie imperialiste – të gjithë në Evropën Lindore e dinë këtë. Të gjithë jo-rusët shihen nga Moska si qenie inferiore. Serbia është si një magnet që tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë. Sot shërben si agjent infektiv në rajon – në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe gjetkë.

I pyetur nese ai mendon se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Kosovë, Clark deklaroi: – Mendoj se ekziston rreziku i dhunës. Disa vite më parë, ne pamë përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi. Së fundmi kemi parë konflikt në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, në të cilin Vuçic mohoi pjesëmarrjen. Por dikush në Serbi mori pjesë, sepse lëvizja e forcave ushtarake ishte e organizuar dhe e urdhëruar. Pra, kur shihni se si funksionojnë gjërat në këtë pjesë të botës, kupton se ka një dorë të fshehur pas pjesës më të madhe të ngjarjeve, dhe kjo dorë vjen nga Moska”

Duke folur per situaten e brishte mes dy vendeve fqinje dhe armike, ish gjenerali theksoi: – Mendoj se vazhdimi i hapjes së rrugës për ekstraterritorialitetin e Serbisë në veri të Ibrit është jashtëzakonisht i dëmshëm për të ardhmen e popullit të Kosovës dhe duhet ndaluar, dhe mendoj se është më mirë për të gjithë në rajon nëse nuk e shtyjmë Asociacionin përpara, por punojmë me Beogradin dhe Prishtinen për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike.

Advertisement