Connect with us

Politike

Fatbardh Kadilli: Ja kush do i bashkohet partisë së re “IDE” dhe kë kemi ftuar

“IDE” është lëvizja më e re e cila është përfolur së fundmi, si një organizim që mund të mirëpresë ata të cilët nuk besojnë se Berisha dhe Basha mund të çojnë të djathtën në fitore. Personi i cili ka inicuar këtë lëvizje është Fatbardh Kadilli, i cili thekson në një intervistë për News24, se është në diskutime me deputetë të Berishës dhe ish-grupit Basha për t’u bërë pjesë.

Z. Kadilli çfarë është “iDE”? Dhe cili është qëllimi i saj?

Inisiativa Demokratike, me Logon domethënës iDE është shpallur publikisht në shtator 2021. Ishte një risi që të krijoje një strukturë të panjohur më parë në PD duke shfrytëzuar hapësirat statutore. PD ishte ende bashkë, por krisja kishte filluar. Ne kishim qartësinë politike për të kuptuar dhe paralajmëruar se Berisha dhe Basha do ta ndanin dhe do ta zvogëlonin partinë. Ne shpallëm rrugën e tretë As/As. Sepse që me Manifestin për ringritjen e PD ne kishim moton – Një Parti më e madhe se Kryetari. Një Parti më e madhe se Vetvetja.

Si do të drejtohet kjo lëvizje? Do të ketë një kryetar?

Kjo lëvizje ka qenë e hapur dhe aspak paragjykuese për personat. Ne nuk besojmë se problemi zgjidhet me pyetjen KUSH? Problemi zgjidhet me pyetjen ÇFARË?
Prej tre vjetësh kushdo që ka dashur i ka mbrojtur këto qëndrime duke u deklaruar ose jo, duke u njohur ose jo si pjesëtar i iDE. Unë kam qenë ndër më të zëshmit dhe i palëkundur në përkufizimin e qartë të vetes dhe iDE me motot e saj themelore. Nuk kemi pasur një Kryetar. Nuk kemi një Kryetar. Lëvizja është energji dhe vullnet për të sjellë ndryshimin jo strukturë ofiqarësh.

Cilët janë personat të cilët kanë krijuar këtë lëvizje?

Numri i personave që ishin në prezantimin e iDE në shtator 2021 ishte afërsisht 100. Por mbështetës dhe simptizantët janë shumë, më shumë. Unë kam qenë ideatori dhe promovuesi i saj, por kjo ka qenë produkt i bisedave dhe konsultimeve me shumë kolegë që prej humbjes katastrofike të viti 2017. Përveç meje në prezantim kanë folur dhe z. Kaso, z. Hani, z. Hoxha ky si mbështetës, dhe të rinj të angazhuar për ndryshim si E. Merko, B. Manaj, etj. Figura publike të pranishëm, Ristani, Bozdo, Muka, drjetues lokal të PD.

Cilët janë personat që e kanë mbështetur këtë lëvizje duke u bërë pjesë e saj?

iDE është një farë e hedhur në një terren të vështirë. Nga ata që ishin në fillim pjesë apo mbështetës të iDE disa zgjodhën të qendrojnë, disa zgjodhën të provojnë t’i arrijnë qëllimet e iDE duke besuar tek “rithemelimi” i Berishës dhe disa tek ndryshimi i Bashës. Pavarësisht rrugëve që zgjodhën për sa kohë kanë mbajtur ato parime, ato moto të qarta mbeten pjesë e iDE. Prandaj është e pangjashme iDE sepse i fton njerëzit të punojnë për atë që besojnë, jo për ofiqe karriere.

A është në këtë grup Alibeaj, Kthupi, Kulluri, Roland Bejko, Agron Kapllanaj?

Nga lista juaj disa kanë qenë mbështetës që në fillim, disa skeptikë. Ftesa për të punuar për të potencuar lëvizjen iDE është e hapur për të gjithë që duan të punojnë për të mbjellë këtë farë të re në këtë tokë politike aspak pjellore. Lista e atyre që unë shpresoj do të zgjedhin rrugëtimin me iDE është shumë më e gjatë dhe përfshin prurje nga spektër shumë i gjërë.

A ka deputete të tjerë me të cilët po diskutohet për t’u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje, qoftë nga grupi Basha, apo PD e Berishës?

Për avancimin e lëvizjes iDE unë kam qenë në komunikim të përhershëm me çdo politikan që ka treguar independencë dhe i ka rezistuar Kryetarokracisë. Ka deputetë nga grupi i Berishës dhe ish grupi i Bashës. Shumica shprehen se iDE është rruga e vetme për të rindërtuar një opozitë tërësisht ndryshe, një opozitë që të jetë alternativa fituese. Thënë kjo, nuk dua të spekullohet se kush do bëhet pjesë, sa kohë konsultimet nuk janë kthyer në vendime. Vendimet janë personale.

A do të kandidoni me “IDE” në zgjedhjet e vitit 2025?

iDE është lëvizje. Duhet të ngjizë si duhet si lëvizje dhe ata që do t’i bashkohem kanë gjithë të drejtën të marrin vendimet për një formacion politik. Zgjedhjet janë përballja e natyrshme e çdo formacioni politik.

Me cilat parti apo lëvizje “IDE” mund të bëj koalicine? Dhe me cilat jo?

IDE e ka profilin e qartë. 1- Parti më e madhe se Kryetari. 2- Parti më e madhe se vetvetja.
Përballë Ramës me një formacion dhe sjellje politike që dallon nga pushteti si plusi nga minusi.

Advertisement