Sport
Finale Euro 2024/ Spanja kampione e Evropës
BERLIN – Spanja mbretëron Evropën. Iberikët fituan 2-1 kundër Anglisë në finalen e Euro 2024 të zhvilluar në ‘Olimpiastadion’ dhe sigurojnë trofeun e katërt të Europianit në histori. Iberikët bëhen skuadra e vetme me katër trofe të Europianit, duke shkruar historinë.
Golat për Spanjën u shënuan në minutat 47-të dhe 86-të nga Nico Williams dhe Oyarzabal, teksa për “Tre Luanët” përkohësisht barazoi Palmer në minutën e 73.
Ndeshja/ Pjesa e parë nisi jo në nivelin e pritshëm, me dy skuadrat që u kujdesën mos linin hapësira pas, duke studiuar kështu rivalët. Për t’u përmendur një rast i Foden, teksa në dhomat e zhveshjes 22 lojtarët shkuan me barazimin 0-0.
Fraksioni i dytë nisi me zëvendësime te Spanja, aty ku Rodri i dëmtuar i la vendin Zubimendit. Vetëm pak sekonda dhe sfida do zhbllokohej nga Nico Williams. Në minutën e 47-të, Lamine Yamal që dje mbushi 17 vjeç dhe një pasim final për shokun e skuadrës, me sulmuesin që nuk fali dhe ndëshkoi Pickford.
Anglia reagoi pas këtij momenti dhe gjeti barazimin me Cole Palmer në minutën e 73-të. Sulmuesi i Chelsea shënoi një gol vërtet të bukur pas pasimit final të Bellingham.
Nëntë minuta nga fundi Yamal kishte shansin të shënonte, por e majta e djaloshit të Spanjës u ndal nga Pickford. Duhej minuta e 86-të që ndeshja të vulosej me golin e dytë të Spanjës. Pasimi i Cucurella u shfrytëzua nga Oyarzabal, që dërgoi në delir tifozët e “Furisë së Kuqe”.
2-1 dhe Spanja siguron trofeun e katërt pas atyre të viteve 1964, 2008 dhe 2012, teksa me katër trofe bëhet ekipi i vetëm që ka fituar kaq Evropiane. Nga ana tjëtër Anglia dështon sërish në finalen e dytë radhazi të një Evropiani, duke lënë me zero tituj të këtij eventi kabinetin e trofeve.
Në fund të turneut, Rodri i Spanjës u shpall lojtari më i mirë i Euro 2024, ndërsa Yamal (Spanja) si lojtari më i mirë i ri i turneut.