Connect with us

Aktualitet

I nxehti po përkeqëson shëndetin mendor, ekspertët: Vapa shton agresivitetin dhe vetëvrasjet

Temperaturat ekstremisht të nxehta, si të ditëve të fundit që po kalon vendi ynë, mund të shkaktojnë reagime psikologjike ku përjetimi i ankthit dhe acarimit janë disa prej atyre që hasen më shpesh në çdo individ

“Temperaturat e nxehta kanë disa efekte negative siç është acarimi, gjendja e ankthit ose depresioni. Është parë që temperaturat e larta ndikojnë drejtpërsëdrejti në këto simptoma. Ndikon madje edhe në gjumë. Individët kanë pështjellime gjatë gjumit dhe zgjohen më të lodhur. Ndryshimi i sjelljeve që vihet re është parë një rritje e agresivitetit ose dhunës brenda familjes në këtë periudhë temperaturash të larta. Pra ka një ndikim psikologjik, qoftë edhe në sjelljen e individëve”, tha Andia Meksi, për RTSH, profesioniste e shëndetit mendor në ISHP.

Profesionistët e shëndetit publik tregojnë se vera është stina më problematike për ata që vuajnë nga shëndeti mendor.

“Ajo që vihet re ne verë, ka një numër në rritje të personave që janë të shtruar ose kërkojnë ndihmë në shërbime të specializuara të shëndetit mendor. Tek individët me probleme të shëndetit mendor ekzistues, rreziku është shumë i lartë për tentativë vrasje ose vetëvrasëse dhe temperaturat e larta kanë një ndikim përshpejtues në këtë gjë”, u shpreh ajo.

“Individët që mund të kenë një problem të shëndetit mendor ekzistues dhe janë në trajtim me mjekime të ndryshme antidepresive ose mjekime antipsikotike, këto medikamente ndikojnë në një farë mënyre në aftësinë që ka trupi ynë për të balancuar temperaturat e brendshme dhe kjo ka një ndikim negativ”

Mjekët këshillojnë mbrojtjen e këtyre individëve nga i nxehti dhe mbajtjen nën vëzhgim të ndryshimeve në sjellje që ata mund të bëjnë.

Advertisement