Aktualitet
“Aleanca e madhe po shkërmoqet, ata janë kafshë territori”/ Hoxha për kriminelët: Kanë ikur, morën edhe gjyshet me vete…
Artan Hoxha thotë se aleanca e madhe e krijuar pas vrasjes së Ervis Martinajt ka nisur të prishet për shkak të mosmarrëveshjeve mes kriminelëve dhe efektet e kësaj do të shihen në vijim.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Hoxha tha se shumë eksponentë të krimit të organizuar janë larguar nga vendi, ndërsa ata që vijojnë të qëndrojnë, janë fshehur dhe janë në pritje.
“Shqipëria pati në vitin 2022, deri në muajin gusht, 42 vrasje. Mes tyre ishin të intensifikuar vrasjet e tipit mafioz. Nga 9 gushti, kur u zhduk Ervis Martinaj, u rrëmbye dhe u vra, nuk u gjet, ndodhën edhe dy vrasje deri në dhjetor. Dhe viti pasardhës, 2023, shkoi nga 44 vrasje në 34 vrasje. Pra në vetëvete bilanci i atentateve, tregon se çfarë po ndodh në terren.
Çfarë ndodhi pas ngjarjes me Martinajn? Një aleancë e madhe e disa grupeve kriminale, edhe nga ata që shohim në SPAK, por që SPAK është i kufizuar sepse EncroChat dhe më vonë SKY, janë deri në mars 2021. Unë po flas për 2022 dhe 2023. SKY na jep një pasqyrë nga korriku 2019 deri në mars 2021. Prandaj aty janë vetëm përgatitjet e vrasjesve.
Nuk kam nevojë të pres të mi japë SPAK apo policia, sepse ky është një informacion që duhet ta marr vetë dhe ta gjej vetë. Sot në Shqipëri, prandaj këmbëngul, që e hoqa pjesën e politikës, sepse nuk e ndalon dot qeverinë ta përdorë një ngjarje. Aleanca e disa grupeve të mëdha, për të eleminuar Ervis Martinajn, krijoi situatën e njëfarë qetësie.
Së dyti, kjo që bëri SPAK ishte një faktor tjetër, i bëri që të ikin nga Shqipëria, të marrin edhe familjet, kanë marrë edhe gjyshin dhe gjyshen, nuk janë më këtu.
Ata që kanë ngelur, janë tërhequr, janë në hije. Ne e dimë që janë këtu, edhe policia e di që janë këtu.
Në këtë moment në Shqipëri, është asgjësuar krimi i organizuar? Jo, ka kaluar në stad tjetër. Siç u përshtatën gjatë kohës së Covid edhe tani po përshtaten. A ka patur ngjarje gjatë kësaj kohe? Po ka patur jashtë Shqipërisë, sepse ata kanë vazhduar.
Nuk veprojnë më në Shqipëri, por në 3-4 kontinente. A kanë ndikim në Shqipëri? Patjetër. Nëse të shkon çmimi i kokainës në vlera historikë më ulët, do të thotë që tregu është plot. Pra pjesa tjetër vazhdon, kemi krijuar goxha treg të madh.
A vazhdojnë ndërtimet në këtë vend? Nga vijnë ato para?
Ajo që nuk ka dalë, deri tani për shkak të një asteriksi që ka materiali, që thuhet se duhet të përdoren vetëm për narko trafikun, por aty ka komunikime për tendera, punë publike, patjetër. Atë e vendos prokuroria.
A janë aty brenda? Po. Që kur ka ardhur ai material, ka ardhur me një asteriks, që duhet përdorur vetëm për narkotrafikun. Pjesën tjetër duhet ta kryqëzosh me prova të tjera.
Duhet të jemi gati dhe të përpunojmë strategji të re, që kur të ketë situatë tjetër… Aleanca e madhe që u krijua nga gjithë kjo gjë, ka filluar të shkërmoqet, sepse ata janë kafshë territori. Janë të pakënaqur kur sheh që ortaku i tij apo rivali i tij po bën më shumë para. Patjetër që nuk ndihen mirë dhe kërkojnë që situatë të ndryshojë.
Kur të mbledhim prapë kufomat, do të shohim që pakti është prishur.
A është Shqipëria një vend më i sigurtë? Siguria ndahet në dy element, krimin e rrugës, që e ndjejnë qytetarët, turistët dhe krimin e organizuar. Shqipëria ka problematikë të madhe me krimin e organizuar. Nga ana tjetër, me krimin ordiner, situata është përmirësuar për shumë faktorë, edhe për shkak të reagimit të shoqërisë. Sot mund të lëvizësh në çdo vend të Shqipërisë në çdo orë të ditës. Po vij nga SHBA, për një javë në Detroit u vranë katër oficerë policie. Atje nuk jepet lajmi siç merremi ne gjithë kohës. Ky është problem i krimit të rrugës”, tha Hoxha.