Connect with us

Kronike

Atentat i trefishtë në Memaliaj/ Ekzekutohet me breshëri kallashi babai i Andrea Kalemit

Tre të vrarë dhe 1 i plagosur. Ky është bilanci i një atentati të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut 2024 që tronditi qytetin e Memaliajt. Ngjarja është shënuar rreth orës 23:20 në një lokal në lagjen nr 3, para godinës së bashkisë së këtij qyteti.

Autori/rët ende të paidentifikuar kanë qëlluar me kallashnikov duke lënë të vrarë Shyqo Kalemin 74 vjeç, Gledio Muka, 36 vjeç dhe M. Çela 47 vjeç. Ndërsa ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmë mjekësore.

 Kush janë viktimat?
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se objektiv i atentatit ka qenë Shyqo Kalemi, ndërsa dy viktimat e tjera janë kamarieri dhe një klient i lokalit që ndodheshin aty në atë moment.

74 vjeçari është babai i Andrea Kalemit i  njohur dhe si Adriatik Kalemi i cili dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022.

Në mbrëmjen e 20 korrikut, i moshuari nuk arriti ti shpëtojë plumbave të kallashnikovit siç ndodhi me dy djemtë e tij që kishin arritur ti shpëtonin atentateve të mëparshme

Autorët dogjën makinën ne Mallakastër 
Policia e Gjirokastrës në një njoftim të orëve të vona informoi se pas krimit autorët ishin larguar me makinë drejt Mallakastrës më pas e kanë djegur.

 Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë  me armë zjarri shtetasit Sh. K., 74 vjeç, M. C., 47 vjeç dhe G. M., 36 vjeç si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore. …

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër. Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve” thuhet në njoftimin e policisë së Gjirokastrës.

Një pistë hetimi, hakmarrja ndaj Kalemit
Dyshohet se vrasja e mbrëmjes së 20 korrikut ka lidhje me Andrea Kalemin dhe sagën e vrasjeve të nisura në 2022,  me eliminimin me eksploziv të Aleksandër Sadikajt – i cili ishte kushëriri i Kalemit – dhe disa muaj më vonë, në Tiranë të biznesmenit Edmond Papa. Një nga pistat e hetimit është hakmarrja ndaj Andrea Kalemit.

Një grup i posacëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

RENEA e drejtuesit e lartë të policisë në Memaliaj
Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë kanë shkuar në Memaliaj për të ndihmuar në identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Gjithashtu kanë shkuar dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kush është Andrea Kalemi

Andrea Kalemi nuk është emër i panjohur për policinë shqiptare ndërsa rezulton bashkëpronar i kompanisë “Shiza Kalemi” sh.p.k në Memaliaj për tregtim me pakicë dhe shumicë të produkteve, restorant, pika servisi, parkime, lavazhe, hotele, e më gjerë.

Në vitin 2001 ai rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht, më 13 prill 2001. Në 2017-ën u arrestua në Tiranë me 2 të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, kundërshtuan punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Dyshohet se u përfshi në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor 2022, ndërsa arriti ti shpëtojë dy atentave/

Në gusht të 2023 Andrea Kalemi u tentua të vritej në ishullin Pax të Greqisë, por 51 vjeçari mbeti i plagosur, ndërsa në dhjetor të këtij viti u plagos në një burg grek. Ndërkohë në janar 2024, Zamir Kalemi i shpëtoi atentatit kur persona ende të paidentifikuar qëlluan makinën në të cilën udhëtonte pranë rrethrrotullimit të Selitës në Tiranë. Ai u plagos në këmbë.

Advertisement