Kosova
Arratisja dhe ek’zekutimi i Faton Hajrizit/ Bislimi: Kosova nuk ka faj për…
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kur është pyetur nëse shteti ka përgjegjësi për arratisjen nga burgu të Faton Hajrizit, ka thënë se Qeveria nuk është “fajtore” edhe pse ky i fundit nuk arriti të prangoset nga organet e rendit, përkundër premtimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili thoshte se është “çështje orësh” arrestimi i Hajrizit i cili u vra në Serbi të premten.
“Ikje ka pasur edhe nga Guantanamo dhe Alkatrazi, është e pa logjikshme të thuhet gjithmonë janë institucionet përgjegjëse. Duhet të bëhet analiza, pastaj merren masat. Fakti që një zyrtar atje e ka marrë gjumi tre minuta nuk e bën Qeverinë e Kosovës bashkëpjesëmarrëse në krim”, tha Bislimi gjatë një interviste në KTV.
Bislimi theksoi se Hajrizi për Kosovën është një person i dënuar për vepra penale. Sipas tij, Kosova e konsideron kriminel Hajrizi, ndërsa Serbia e sheh hero Milan Radoiçiçin, organizatorin e sulmit të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.
“Hajrizi nuk përfaqëson Qeverinë e Kosovës, nuk ka pas as promovim, as sponsorizim siç për shembull ka pas Radoiçiçi, as trajnim të ushtrisë në Kosovë siç kanë pas trupat e Radoiçiçit, as armatim të kompanive tona të armëve sepse nuk i kemi. Ky është dallimi mes Kosovës dhe Serbisë. Ai në Kosovë trajtohet si kriminel, Radoiçiçi në Serbi trajtohet si hero i luftës. A ka mundësi që në këtë narrativë me i pa edhe deklaratat e Daciçit”, shtoi.
Në anën tjetër, të shtunën e 20 korrikut, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pretenduar se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës i ka nxitur Serbia. Këto komente, Haxhiu i ka bërë përmes një postimi në Facebook, derisa ka komentuar rastin e Faton Hajrizit.
“Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës”, shkroi ajo.
Ndryshe, lajmi për vrasjen e Faton Hajrizi, erdhi pak orë pasi që MPB-ja serbe e shpalli Hajrizin zyrtarisht në kërkim. Disa javë pas arratisjes spektakolare – të nëntën me radhë – nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë, Faton Hajrizi, u bë të enjten personi më i përfolur në rajon.
Në orët e para të së enjtes (00:55), në Lozincë të Serbisë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – Hajrizi dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër. Vrasja ka ndodhur kur zyrtarët policorë serbë kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, pasi e kanë ndaluar një veturë të tipit Mercedes, ku dyshohet se ka qenë Hajrizi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka kërkuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi që të konfirmohet identiteti i personit të vrarë – pas raportimeve se është vrarë nga Policia e Serbisë, Faton Hajrizi.