Kosova
KUSH ËSHTË KUSH dhe gjembi i Kurtit në këmbët e Vuçiçit
Kongresistja republikane Claudia Teni tha në tubimin e javës së kaluar “Serbët për Trump”, se Amerika nuk mund ta injorojë Ballkanin dhe vuri në dukje se administrata Biden nuk po i kushton vëmendje të mjaftueshme këtij rajoni.
Sipas saj, serbët e duan Trumpin, “sepse ai është i fortë dhe merr vendime, ndryshe nga qeveria aktuale në SHBA, prandaj Beogradi e vlerëson Prishtinën si një gjemb në këmbë”.
Claudia Teni ishte në mesin e 16 kongresmenëve që i shkruan presidentit të SHBA-së, Joseph Biden, duke i kërkuar atij të përmirësojë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Serbisë, duke i kujtuar atij historinë e gjatë diplomatike të dy vendeve dhe lidhjet e tyre të forta në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.
Ajo gjithashtu ishte personi që e propozoi Donald Trumpin për çmimin Nobel për Paqe, duke u shprehur se ai ishte një figurë kyçe në arritjen e marrëveshjeve të paqes në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu ajo në takimin që ka patur në konferencën e Mynihut me kryeministrin Albin Kurti, i ka vënë në dukje këtij të fundit ato që ai i ka quajtur “shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit nga Prishtina zyrtare”.
“Duhet ta mbajmë përgjegjës Kurtin. Personi që është faktor i rritjes së tensioneve nuk është Vuçiç por Kurti”- pati theksuar kongresistja amerikane. Nuk është hera e parë që Klaudia Teni i drejtohet Kurtit.
Në shtator të vitit 2023, ajo i shkruante atij, siç edhe shprehej, “me shqetësim të madh për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe mungesën e progresit në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”.
“Unë ju inkurajoj fuqimisht ju dhe administratën tuaj që të mbani zgjedhje të reja për kryetar komunash në komunitetet me shumicë serbe dhe të tërhiqni plotësisht forcat speciale të policisë, si edhe të krijoni një Bashkësi të Komunave Serbe, siç është mandatuar me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”- shkruante Teni.
Dhe kur kjo thirrje nuk funksionoi, ajo dorëzoi në Dhomën e Përfaqësuesve për miratim Projektligjin për Mbështetjen e Marrëveshjes së Brukselit , i cili përfshinte ndalimin e ndihmës për Kosovën deri në përmbushjen e detyrimeve, domethënë deri në tërheqjen e forcave nga veriu.
Por as kryeministri Kurti nuk ia la “bosh” kongresistes teksa kujtijmë se në fillim të këtij viti ajo ishte shënjestër e një ushtrie të tërë online fansash të Kurtit.
Teni dënoi gjithashtu edhe dërgimin e raketave “Javelin” në Kosovë dhe i bëri thirrje Kongresit që të miratojë një rezolutë përmes së cilës do të hiqej dorë nga shitja e armëve.