Kronike
“Bo bo si fliske ti, fshiji” – Si i ofronte Behar Bajri 100 mijë euro prokurorit: Ndaji ti me gjykatësin, mbyllni punën e vëllait!
Komunikimet në aplikacionin “Sky”, të zhvilluara mes kapo bandës së Shkodrës Behar Bajri dhe prokurorit të këtij qyteti, Xhevahir Lita, janë tejet tronditëse teksa, prokurori i çështjes flet hapur në telefon me të pandehurin e tij, duke bërë pazare deri në 100 mijë euro me qëllim heqjen e akuzave dhe lirim nga burgu.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi episode të tjera janë të regjistruara dhe ndërhyrje që i pandehuri Behar Bajri, i kërkonte prokurorit të tij, Lita, për lirimin e Eugen Vasos alias Brajoviq dhe personave të ndryshëm, raporton gazetari Elton Qyno.
Bisedat me natyrë korruptive janë zhvilluar vetëm 4 ditë pasi Behar Bajri, ishte liruar nga paraburgimi “313” në Tiranë nga gjyqtari S., i cili sipas SPAK dyshohet se ka marrë një sasi monetare deri në 5 milion lekë të vjetra, duke i zbutur në 29 qershor 2020 masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë Xhevahir Lita, kishte krasitur më parë të gjitha akuzat për vrasje, gjobëvënie, pastrim parash të Bajrit, duke lënë në këmbë vetëm “Organizim pa lejë të lojërave të fatit”, për të cilën ai dhe u dënua me disa muaj burgim.
Por indiciet e forta mbi përfshirjen në korrupsion të gjyqtarit Sokol Shehu, shtohen akoma dhe më tepër, kur Behar Bajri, i sapo dalë nga burgu i ofron 100 mijë euro prokurorit Lita që t’ia japi gjyqtarit, me qëllim të mbyllë dosjen dhe zhveshë nga masa e sigurimit “arrest në burg”, të vëllait të tij, Enver Bajri.
I dalë nga burgu, Behari problemin e tij e konsideronte të mbyllur, por në atë valë kërkonte të zgjidhte dhe problemin që kishte me drejtësinë vëllai i tij, Enver Bajri.
Enver Bajri, ishte në të njëjtën dosje penale me Beharin, pasi gjatë një hetimi të kryer nga Krimet e Rënda, ai dyshohej se ishte përfshirë si një nga anëtarët kryesorë të grupit “Bajri” në Shkodër.
Dhe mbi bazën e këtyre dyshimeve gjatë operacionit “Oaz”, Enveri është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në datën 21 shtator 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Behar Bajri është liruar nga burgu në 29 qershor 2020 me vendimin Nr.307 të marrë në orën 10:00, duke caktuar “detyrim paraqitje” dy herë në javë të hënën dhe të enjte.
Një ditë më pas, në 30 qershor prokurori i çështjes Xhevahir Lita merr kontakt me të pandehurin e tij, Behar Brajoviq alias Bajri, i cili ka në përdorim Sky@EÇ TIV9E3, ku në orën 16:51:35 Behar Brajoviq i ka dërguar mesazhe Xhevahir Litës si më poshtë:
“…Daci vogel jam… ta paqa borgj vlla…ta po rrim nej dit gjejm nej vend e rrim…tiranë jam…”.
Xhevahir Lita e pyet se çfarë po bën dhe se ku ndodhet? Po ashtu ai orienton “dacin” se si do veprohet më tej, duke dërguar mesazhet si më poshtë:
“…ok ke me u paraqitë të hënën…në prokurori…të hënën në orën 10…”.
Në orë 17:03:31 prokurori Xhevahir Lita dërgon Pëllumb Gjoka mesazhet: “…po bëni qef me Dacin më duket…eheeeee…a ju a ju… jeni të qetë tani…”.
Ndërkohë tre ditë më pas, në 3 korrik 2020 Behar Bajri i shkruan Xhevahir Litës duke e pyetur për një porosi për një gjyqtar që kanë folur duke i thënë: ”…si je ti mirë a po flet me atë si folmë…” dhe Xhevahiri ia kthen si më poshtë vijon:”…po po kam folë dje, ishalla mirë…”.
Behari i shkruan: ”…mirë nuk dua thuaj gja gratis…”, kurse Xhevahiri ia kthen: ”…e di e di…”. Më tej Behari i thotë:”…po për punë të vllasë ça bahet, se kam hadh me ja kry dhe vllas. Si mendon ti ça duhet me ja dhanë këtij…”.
Por Xhevahiri ia kthen:”…ai nuk është atje, ai është akoma aty ku ishe ti (nënkupton burgun), nuk ka shku atje për atë vazhdon te ne akoma. Ai është shumë problem nuk kryhet…”.
Ndërsa Behari vijon duke mos hequr dorë duke i ofruar 100 mijë euro Xhevahir Litës, që këtë shumë ta ndajnë me gjyqtarin dhe të mbarojnë punë edhe për Enver Bajrin.
Behari: ”…zotni 100 mijë euro i ka të mi kyn dhe për vllanë dhe të mijat dhe ndaji ti me të a çat dush, kur të dush dhe 100 mijë euro i ke kur të dush. Rregulloji vetë me të ti, por du si mos na çajn nesër kush k***n me na këto histori. Fol me të vetë, nuk ke punë me kën, na e kena drejt për drejt bashkë…dhe kur të dush rrim i ditë për qef bashkë, hajm i drekë…”.
Xhevahiri ia kthen:”…bo bo ça flet, flasim kur të takohemi…ik ore mos fol ashtu, bo bo si fliske ti…të enjten në orën 10:00 mos harro ke me shku ku ishe…”(Nënkupton detyrim paraqitjen)…. “…E fshi këto sms e sotme se ia kemi futur kot…fshi tani në moment se harron”-i thotë Xhevahiri, Beharit, ndërsa ku i fundit ia kthen:”…hahaha ok, pa merak u kry i fshiva…”.
Kurse Xhevahiri e përshëndet:”…ik natën, rrofsh sa malet…”. “…Natën, natën, shyqyr si të kemi…”-ia kthen Behar Bajri.
Ndërkohë pasditen e datës datës 3 korrik 2020, Behar Bajri bisedon në “Sky” me biznesmenin Pëllumb Gjoka duke i thënë:”…fola me Xhevin dhe i thashë, ke dhe njëqind mijë për gjykatësin, i ndan i thashë ti me të a çat dush, du me kry i her e mir dhe mirë thuj atij gjyqtarit ndaq mos me vdek me kry punë i thashë, por mos i thuaj gja ti, ban demek si nuk e din…se i thashë dhe për punën e vllas me kry punë…”.
“…si i 100 mijë kot vëlla??, A e pe sa pak kanë ik deri tani. Iku kjo punë, për kyt çështje të rruajnë k***n… O vëlla jo aq shumë. A e pe sa pak kanë shkuar për tan atë dallgë, e ka pastru Xhevi…”-i shkruan biznesmeni Pëllumb Gjoka.
Ndërsa Behari ia kthen:”…po thashë të krym, vari lesht të paktën na bajn biografinë e mirë, se më tha për punë të vllasë jo kështu jo ashtu…e di ma vlla por thashë ta kryen dhe aj kurv fill e mos të na zgjasin kyt histori…”.
Kurse Pëllumbi ia kthen:”…nuk ka ca zgjat ma ai, nejse hap sytë ca sillet…” dhe Behari ia kthen:”…tash po pres dhe nja 3 ditë për punë të Tiranës…nuk bahet fjalë nuk dal hiq a don nej aparaturë me ta porosity si morra unë…?. Pëllumbi:Për ça është ajo aparatura, me blloku valt? Behari:”…për valë se është e mirë, për ku flet me kën nej makinë ambjentale nuk ka përgjime…”. Dhe Pëllumbi që i thotë:
”…e kam një të madhe…”.
Por në datën 7 korrik Behari i shkruan sërisht Xhevahir Litës duke i thënë: ”…Po e kam veç ditë të enjte apo dy herë në javë, se kur dal me ta, kom me dalë me 5 makina… të paktën lenë një herë në javë…të shkoj vetëm të Enjten pra…” dhe Xhevahiri ia kthen: “…ke dy herë, por ti shko vetëm të enjten ose të hënën… ok…”.
Por Behari ka harruar dhe datat e seancave gjyqësore dhe në datën 7 korrik 2020 pyet Xhevahir Litën, duke i thënë:
”…a kam naj gjyq, ça më tha avokati…”, kurse Lita ia kthen:”…hahahah, jam që në mëngjes tu marë me këtë punë, me avokat e me gjithë miletin…”. “…E di edi, por ty ta kam lanë në dorë…”-ia kthen i pandehuri Behar Bajri.
Sërish në datën 7 korrik, prokurori Lita dhe i pandehuri i tij, Behar Bajri flasin për muhabetin e lënë përgjysmë lidhur me korruptimin e gjyqtarit që liroi Behar Bajrin, por tashmë duhet zgjidhur dhe mbyllur dosja e vëllait, Enver Bajri.
“…A fole me të, që të krym punë e ti jap ato…?”-i thotë Behari. Ndërsa Xhevahiri ia kthen:”…kam dashtë me i pregatit që të mos dështojmë, jam marrë me avokatin…”.
Kurse Behari ia kthen:”…po e di, të kam shok e mik dhe nuk ta harroj, inshallah nuk bahesh për mu se si me kën për vëllanë tem eci…”.
Ata flasin dhe për punën e zgjedhjes së çështjes në themel që ishte hapur në prokurorinë e Shkodrës, dhe për të mos zvarritur çështjen hetimore, duhet të kryheshin disa veprime si marrja në pyetje e verifikime shtesë.
Për një moment Xhevahiri i shkruan në 13 korrik Beharit:
”…desha ta mbyll unë se mund të transferohem, e ngel pastaj e nuk ta bën kush…problem është më shumë te ai që është në Itali se ai ka bërë aplikimin, se ty pot ë kaloj, nuk është punë telefoni duhet me dhënë deklarim të shikojë mundësinë të vijë…” dhe Behari ia kthen:”…po nesër po të mer aj ty dhe po ja pres biletën e të vij, për punë të vllasë po vjen ai se më thanë kam fol me ty në telefon…”. (Ora News)