Bota
SHBA kërcënon hapur Turqinë: Mos eksportoni pajisjet tona ushtarake në Rusi
Uashingtoni ka paralajmëruar Turqinë se do të ketë “pasoja” nëse kjo e fundit nuk kufizon eksportet e saj në Rusi të pajisjeve të cilat lidhen me ushtrinë amerikane që është jetike për makinerinë e luftës së Moskës.
Matthew Axelrod, ndihmës sekretari i tregtisë që drejton përpjekjet e SHBA për të mbajtur teknologjinë e ndjeshme larg nga duart e kundërshtarëve të Amerikës, u takua së fundmi me zyrtarë dhe drejtues turq në Ankara dhe Stamboll , si pjesë e përpjekjeve për të ndalur tregtinë e paligjshme, shkruhet në një artikull të botuar në Financial Times.
Mesazhi i ti, sipas një zyrtari të lartë të departamentit të tregtisë, ishte se Turqia duhet të punojë më shumë për të frenuar tregtinë e çipave me origjinë amerikane dhe pjesëve të tjera, që janë thelbësore për luftën e Moskës në Ukrainë.
“Ne kemi nevojë që Turqia të na ndihmojë të ndalojmë rrjedhën e paligjshme të teknologjisë amerikane në Rusi,” tha Axelrod në një deklaratë për Financial Times.
“Ne duhet të shohim përparim të shpejtë nga autoritetet dhe industria turke, ose nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të imponojmë pasoja mbi ata që shmangin kontrollet tona të eksportit,” shtoi ai.
Paralajmërimi i Uashingtonit është shenja e fundit sesi vendimi i Turqisë për të mbajtur lidhje të forta tregtare me Rusinë, ka njollosur marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s.
SHBA, BE dhe partnerë të tjerë perëndimorë kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, që kur nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, por Turqia i ka shmangur kufizimet dhe ka rritur tregtinë me vendin që nga shpërthimi i luftës.
Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht të shqetësuara se Turqia është bërë një qendër kryesore përmes së cilës elektronika e prodhimit perëndimor, duke përfshirë procesorët, kartat e kujtesës dhe amplifikatorët, po bëjnë rrugën e tyre drejt raketave dhe dronëve rusë në kundërshtim me kontrollet e eksportit.
Veglat e makinerive janë një fushë tjetër e rëndësishme shqetësuese.
Nënsekretari i Thesarit i SHBA për terrorizmin dhe inteligjencën financiare, Brian Nelson shprehu zhgënjimin për tregtinë e Turqisë me mallra të lidhura me ushtrinë, gjatë një vizite në vend në fund të vitit të kaluar.
SHBA, BE, Britania e Madhe dhe Japonia janë bashkuar për të synuar tregtinë në rreth 50 kategori produktesh civile me aplikime ushtarake, të cilat aleatët e shohin si një prioritet të lartë për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Sipas zyrtarit të departamentit të tregtisë, Turqia është burimi i dytë më i madh në botë, pas Kinës, i mallrave me prioritet të lartë, me origjinë nga SHBA, të dërguara në Rusi.
Axelrod i tha qeverisë turke se kjo tregti ishte një “problem urgjent” dhe i bëri thirrje Ankarasë, që “të miratojë dhe të zbatojë një ndalim për transportimin e artikujve të kontrolluar nga SHBA në Rusi”, tha zyrtari.
Ai shtoi se Moska “po përpiqet të shfrytëzojë politikën tregtare të Turqisë” për të hyrë në pjesët e SHBA.
Departamenti i Tregtisë ka shtuar tashmë 18 kompani turke në “listën e subjekteve” për këtë tregti; kjo kërkon që kompanitë amerikane të marrin licenca të rralla për të shitur pjesë të ndjeshme të këtyre grupeve.
Zyrtari i tregtisë tha se “mund të presësh të shohësh më shumë nga kjo duke shkuar përpara, përveç nëse dhe derisa të ketë përparim”. Departamenti i Thesarit ka sanksionuar veçmas shumë kompani turke për gjoja furnizimin e kompleksit ushtarak-industrial të Rusisë.
Ministria e tregtisë e Turqisë nuk pranoi të komentojë mbi akuzat e SHBA. Eksportet e Turqisë të mallrave të lidhura me ushtrinë me përparësi të lartë, të dërguara në Rusi ose ndërmjet ndërmjetësve të dyshuar për Moskën si Azerbajxhani dhe Kazakistani, janë lulëzuar që nga fillimi i luftës.
Ajo regjistroi 85 milionë dollarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shumë më tepër se 27 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas llogaritjeve të FT bazuar në të dhënat e doganave turke.
Një pjesë e madhe e këtyre flukseve mund të jetë pjesë e “tregtisë fantazmë” të mallrave që zhduken dhe nuk hyjnë kurrë në tregjet e destinacioneve të tyre të supozuara.
Rritja e madhe e eksporteve turke të mallrave të ndjeshme në Azerbajxhan, Kazakistan dhe Kirgistan nuk ka çuar në një rritje të importeve të mallrave të tilla të raportuara në ato vende.
Megjithatë, eksportet e Turqisë të mallrave të lidhura me ushtrinë duket se janë lehtësuar disi, nga nivelet më të larta të vendosura në vitin 2023.
Thesari i SHBA ia atribuon këtë rënie një urdhri ekzekutiv të administratës së Presidentit Joe Biden, i cili e lejon atë të trajtojë çdo kompani të huaj financiare që kryen transaksione me një sanksion.
Qëndrimi i ashpër ka rritur gjithashtu ndjeshëm kostot që Rusia duhet të paguajë për të importuar mallra me origjinë amerikane nga Turqia, sipas zyrtarit të tregtisë.
Ai shtoi: “Ka pasur disa përparime kohët e fundit… por nuk mjafton, sepse është ende shumë e lartë.”