Kronike
‘Pashë trutë e mamasë në tokë’/ Jepet gjykimi për 41-vjeçarin që hodhi të atin nga shkallët
Gjykata e Sarandës ka lënë në burg 41-vjeçarin, Klementin Ismalaj i cili akuzohet për vrasjen e babait të Hysen Ismalaj, pasi mori vesh se i kishte vrarë të ëmën, Shano Islamaj. Islamaj ka sqaruar para gjyqtarit se si ndodhi e gjithë ngjarja e rëndë duke theksuar se kurrsesi nuk kishte qëllim t’i shkakonte vdekjen të atit, Hysen Islamaj.
“Jam i divorcuar dhe kam tre fëmijë nga dy martesa. Dy prej fëmijëve kishin një muaj që kishin ardhur në shtëpinë tonë. Kur dëgjova zhurmë nga shtëpia, se isha tek kafja, më thanë edhe lagjarë të mi, mendova se u kishte bërë gjë fëmijëve por kur shkova aty pashë që kishte goditur mamanë me sopatë duke i hapur kokën. Pashë trutë e mamasë në tokë. Nuk e di se si u ndjeva në atë moment. Nuk kam dashur ta vras, thjesht e shtyva e u pengua”, ka thënë Klementin Islamaj.
Prokurorja e çështjes, Valbona Maja ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, ndërsa avokati Merdan Nora ka kërkuar një masë më të lehtë sigurimi si “garancia pasurore”.
Kanë qenë vëllai dhe motra e Klementin Islamajt ata që treguan gatishmëri për të paguar garancinë, në mbështetje të vëllait të tyre. Edhe më herët të pyetur vëllai e motra kanë dëshmuar se babai i tyre tërë jetën ka qenë i dhunshëm me nënën e tyre por edhe me ata vetë. Në fund të seancës Gjyqtari Fatmir Ndreu ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”.