Shkrime
Ngjela: Historia e fshehur e një kombi, është armiqësi kombëtare
Nga Spartak Ngjela
Historia e fshehur e një kombi, është armiqësi kombëtare…
Historinë e një shteti të pavarur kombëtar, e fshehin vetëm antikombëtarët.
Pse, në krye te shqiptarëve, në 90 përqind të rasteve kanë drejtuar antishqiptarët?
Zotërinj!
Nuk është koha që na drejton ne, jemi ne që duhet te drejtojmë kohën tonë.
Koha jonë është jeta jonë. Por, diktatorët nuk e shohin kurrë shoqërinë që sundojnë që ajo ështe në kohën e saj, dhe, brenda saj, gjithsecili individ ka kohën e tij.
Koha e një periudhe historike të një shoqërie të caktuar kombëtare, krijohet nga vetë koha e individëve që jetojnë dhe e formojnë atë shoqëri.
Po kryeministri aktual, a e di që kjo është dhe duhet të jetë maksima kombëtare e shqiptarëve, që askush nuk mund ta shkelë.
E di kryeministri aktual që të gjithë kryeministrat në Shqipëri kanë vepruar sikur ata drejtojnë, dhe koha është e tyre?
E di kryeministri aktual që shqiptarët kanë dekada që kanë pritur e po presin zhvillimin e jetës së tyre normale në atdheun e tyre?
E di kryeministri aktual në Shqipëri sot se, gjendja e rëndë e krijuar nga kryeministrat e korruptuar që kanë kaluarnë këta 30 vite në Shqipëri, ka detyruar mbi 1.000.000 shqiptarë ta lënë Shqipërinë se nuk kanë pasur mjete të mjaftueshme jetese për vete dhe familjet e tyre?
Dhe kjo ka ndodhur, sepse kryeministrat tanë nuk kanë pasur fare lidhje me jetën e shqiptarëve, por vetëm me pushtetin e tyre, dhe me qarqet antishqiptare rrotull nesh.
Dhe, na duhet të theksojmë se:
Është instinkti i sundimit, që e kanë politikanët mediokër, të cilët e konceptojnë kryeministrin si një post-çlirimi të dëshirave të tyre për sundim.
Kryeministrat shqiptare, me përjashtim të Ismail Qemalit, kush më shumë e kush më pak, kane qenë sundues.
Dhe nuk kanë bërë Asgjë për historinë e zhvillimit në Shqipëri.
Duhet përjashtuar këtu diktatura komuniste që, me dhunë, me shkelje brutale të të drejtave jetësore të shqiptarëve, të paktën i ndërtoi 500 fabrika e uzina ne Shqipëri.
Po ku janë sot?
Janë shkatërruar të gjitha, në katër-vjetshin 1992 – 1996.
Turp për ata bastardë që drejtuan këtë shkatërrim!
Se ja, para pak muajsh, u ngritën në parlamentin e Serbisë, dhe hordhitë serbe u mburën që, me 40 milionë dollarë, ata kishin shkatërruar 500 uzina e fabrika në Shqipëri.
Ky është një turp historik, dhe krim antikombëtar.
Këta bastardë dhunuan me pabesi kombëtare djersën e shqiptarëve të përvuajtur në 40 vite rresht.
Zotërinj, kjo ështe një nga aspektet e rënda të historisë sonë antikombëtare që ende nuk është ndëshkuar.
Sepse ende nuk është goditur nga asnjë kryeministër masakra antikombëtare në ekonominë shqiptare në vitet 1992-1996.
Po SPAK -u, e di këtë tragjedi antikombëtare?
Gjithsesi, këtë tragjedi makabër antikombëtare, edhe shtypi ka pasur frikë ta denoncojë në Shqipëri.
Por, shqiptarët duan shpagim nga maskarenjtë që shkelën me dhunë djersën, lodhjen ekstreme, me drobitjen më rropatëse, që kishin kaluar prindërit e tyre në dyzet vite rresht.