Connect with us

Politike

Mbyllet Konferenca “Diplo 2024”/ Hasani: Reforma për të forcuar marrëdhëniet…

Përfundoi sot Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë “Diplo 2024”, organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në 3 ditët e konferencës (26 -28 gusht 2024), u nënvizua rëndësiae integrimit të aftësive dhe përvojave të ndryshme në shërbimin tonë diplomatik. Në fokus të diskutimeve ishin edhe dhënia e ideve dhe ndarja e mendimeve për prioritetet e MEPJ: avancimi i procesit të integrimit evropian, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe rolit të Diasporës, modernizimi i shërbimeve konsullore etj.
Diskutimet nxorrën në pah nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit me ministritë e linjës, për të çuar përpara axhendën e reformave, sikundër edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s dhe Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri me dije se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’i nënshtrohet reformave strukturore për të rritur efikasitetin dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet Ministrisë dhe përfaqësive të saj.

Struktura e re synon të nxisë energjinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes të gjitha hallkave të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Një prej risive, është edhe krijimi i Drejtorisë së Bashkëpunimit me Faktorin Shqiptar, në fokus të të së cilës do të jenë qytetarët shqiptarë, kudo që ata jetojnë.

Ligji i ri për shërbimin e jashtëm, i cili prej javësh është në konsultim publik, jo vetëm do të mbështesë natyrën dinamike dhe në zhvillim të aktivitetit diplomatik, por edhe do të njohë kontributet e shqiptarëve që punojnë në organizatat ndërkombëtare dhe do të hapë dyert për përfshirjen e tyre në shërbimin e jashtëm.

Konferenca e Ambasadorëve shërbeu si një moment vendimtar për reflektim, vlerësim dhe planifikim për të ardhmen. Ai përforcoi nevojën për përmirësim të vazhdueshëm, integrim të aftësive të ndryshme dhe reforma strukturore për të rritur efektivitetin e shërbimit diplomatik shqiptar.

Në “Diplo 2024”, në panelet e brendshme të konferencës ishin të ftuar, zv.kryeministja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë Tanja Fajon, Ministri i Financave, Petrit Malaj, Ministrja Turizmitdhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministri Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku, zv.Kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, rektorja e Kolegjit të Evropës Frederica Mogherini si dhe ekspertë vendas e të huaj të fushave të ndryshme.

Advertisement