Connect with us

Kosova

Maliqi ndez debat me deklaratën: Serbët e Kosovës tani janë si shqiptarët nën Millosheviçin

Analisti dhe publicisti Shkelzen Maliqi, sipas medias serbe Danas, ka vleresuar se pa bashkëpunimin e plotë dhe të sinqertë të autoriteteve kosovare dhe serbe është e pamundur t’u garantohet siguri dhe prosperitet serbëve të Kosovës.

Ai shtoi se serbët tani janë pothuajse në të njëjtën pozitë si shqiptarët në Kosovë në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

“Gabimi më i madh i Presidentit serb Aleksander Vuçic është se ai me nxitim i detyroi serbët të largohen nga strukturat e sistemit të Kosovës, ku ata ende ishin një faktor pasi pa ata nuk mund të merreshin vendime në zgjidhjen e çështjeve praktike në terren” – deklaroi Maliqi në një intervistë për Nedeljnik.

Siç shpjegoi ai, “serbët kanë mbetur në një hapësirë ​​boshe, ku garancia e vetme e besueshme per ata është prania e KFOR-it, por ky është formacion ushtarak dhe jo policor, ai ndërhyn vetëm në situata jashtëzakonisht të rrezikshme, të cilat u keqpërdorën nga ekstremistët kur u vendosën barrikada”

“Serbët e Kosovës janë pothuajse në të njëjtën pozitë si ne shqiptarët në vitet nëntëdhjetë kur Millosheviqi imponoi sistemin e aparteidit, vetëm policia serbe dhe grupet paraushtarake ishin në terren dhe ne ishim të mbrojtur vetem nga misionet e huaja diplomatike” – theksoi Maliqi.

Ai tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti e portretizon veten si një politikan i vendosur dhe parimor që nuk dorëzohet para presioneve perëndimore.

“Por loja e tij është e ngjashme me atë të Vuçicit, populiste. Politika e tij e brendshme është katastrofike. Ai po përpiqet t’i përshtatë të gjitha pushtetet dhe ligjet me interesat partiake, si edhe presidenti serb. Kjo gjë rrit popullaritetin në mesin e atyre shtresave të shoqërisë që kanë ndjenja hakmarrëse ndaj Beogradit dhe serbëve vendas” – potencoi analisti nga Kosova.

Advertisement