Connect with us

Kosova

Kongresisti amerikan reagon për kërkesat e Vuçiçit  ndaj Kosovës

Edhe kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka reaguar pas fjalimit që ka mbajtur ditën e premte, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ka shpalosur disa kërkesa për Kosovën.

Ai në reagimin e bërë në platformën “X”, ka shprehur sërish mbështetjen për Kosovën, teksa ka theksuar se Vuçic është në anën e gabuar të historisë.

“Serbia po kërkon që Kosova të heqë dorë nga sovraniteti i saj dhe të kthehet në “status quo ante”. Nuk do të ketë një kthim të tillë. Kosova është një shtet i pavarur dhe do të mbetet i tillë përgjithmonë, i mbështetur nga miku më i madh i saj: Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – ka shkruar kongresisti.

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Advertisement