Aktualitet
“Partizani”/A ka ndikuar Berisha në përshpejtimin e privatizimit? Përgjigjet Argita Malltezi
Gazetari Eni Ferhati ka ngritur një pyetje në emisionin Now me Erla Mëhillin sa i takon përshpejtimit të procedurave të SPAK për krijimin e një grupi pune për pjesën e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Në fjalën e tij, duke iu drejtuar Argita Malltezit, Ferhati u shpreh se duhet qartësuar se si në pak kohë u vendos një grup pune që do merrte në konsideratë kërkesat e ish-pronarëve të asaj toke.
Sipas tij, ka momente dhe hapësira ku SPAK mund të interpretojë më shumë dhe ka nevojë për sqarime të mëtejshme.
“Është një moment ku Prokuroria për pjesën e privatizimit thotë që në pak kohë u angazhuan njerëz, u ndërmorën nisma ligjore dhe hapa të tjerë për ti hapur problem çështjeve burokratike. Si ka mundësi që në pak kohë u vendos një makineri e tërë për t’i marrë në konsideratë kërkesat e ish-pronarëve dhe për të vijuar me kalvarin e veprimeve?” -u shpreh gazetari.
Më tej, në përgjigje të kësaj pikëpyetje të ngritur nga gazetari, Argita Malltezi u shpreh se SPAK nuk ka denjuar që në dosjen hetimore ndaj babit të saj të përfshinte një document që vërtetonte se privatizimi është bërë në kohën e qeverisë së Fatos Nanos e jo më vonë, në kohën e qeverisë Berisha.
“Shkresën që vërteton që privatizimi është bërë nga qeveria Nano dhe jo nga qeveria Berisha ia kemi dorëzuar SPAK që në gusht të vitit 2023 kur bëme një kallëzim ndaj Taulant Ballës. Sot e kësaj dite SPAK nuk e ka futur në dosje. Në faqen tre të akt akuzës thotë: Duket sikur procesi i privatizimit nisi nga mesi i 2005-ës dhe paragrafi tjetër thotë në vazhdim kur Berisha fitoi zgjedhjet, pra të krijon idenë sikur e ka nisur Berisha, në fakt ka nisur nga qeveria Nano,” u shpreh Malltezi.