Connect with us

Aktualitet

Vrau Egli Progën në Pogradec, Apeli jep vendimin për Denis Meçen

Gjykata e Apelit të Përgjithshëm në Tiranë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin Denis Meçe, i cili akuzohet se dhunoi për vdekje 42-vjeçarin Egli Proga në Pogradec, ngjarje e ndodhur më 10 gusht të këtij viti.

Denis Meçe kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë, por kërkesa e tij është rrëzuar nga trupa gjykuese.

Ndërkohë, gjykata ka caktuar “detyrim paraqitje” për tre shokët e Denis Meçes; Leonidha Guçen, Arjan Manellarin dhe Voltan Shulkun, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi

Vlen të theksohet fakti se fillimisht, autoritetet policore e referuan dosjen ndaj Denis Meçes në Prokurori nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, akuzë e cila sipas Kodit Penal të Shqipërisë dënohet nga 10 deri në 20 vjet burgim.

Por, pas 40 orësh Prokuroria e Korçës ka zbutur akuzën 29-vjeçarit, pasi depozitoi dosjen në Gjykatë për rivlerësimin e masave të sigurisë për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose maksimumi me burgim deri në 5 vjet.

Kjo ngjarje e rëndë bëri bujë mediatike, për shkak se familjarët akuzuan institucionet për mosveprim në kohë dhe tentativë për të fshehur ngjarjen, pasi Denis Meçe njihet si një person problematik në zonë, kjo edhe për shkak se kishte mbështetjen e dajës së tij, Valter Gora, një ish-drejtor me “pushtet rilindas” në Pogradec, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme në juglindje, i përfshirë në shumë afera, si dhe i arrestuar për korrupsion.

Më pas, pati dhe një “ping pong” mes Prokurorisë së Korçës dhe Policisë së Shtetit se kujt do t’i ngecte faji.

Advertisement