Connect with us

Sport

Champions League: Liverpool përmbys Milanin, Bayerni ‘masakron’ Dinamon, Rudiger shpëton Realin

Champions League nisi këtë të martë me formatin e ri që përfshin 36 skuadra dhe një renditje të përgjithshme në bazë të pikëve të grumbulluara.

Në “San Siro” Milani humbi me përmbysje 1-3 nga Liverpool. Ishte Pulisic që kaloi vendasit në epërsi pas tre minutave lojë, ndërsa të kuqtë përmbysën me Konate dhe van Dijk në pjesën e parë. Të dy golat ishin identik, të shënuar me kokë pas goditjeve nga këndi. Në pjesën e dytë portieri i Milanit, Maignan u largua nga fusha me lot në sy pas një dëmtimi, teksa Liverpool shënoi golin e tretë me Szoboszlai.

Në “Allianz Arena” Bayern Munich i dha leksione Dinamo Zagrebit duke e mundur 8-2. Kane, Guerreiro dhe Olise shënuan në pjesën e parë, teksa në fraksionin e dytë Kane ia doli të kompletonte “pokerin” e golave, ndërsa Olise dopietë. Në fund kishte vend edhe për golat e Sane dhe Goretzka. Harry Kane me 33 gola lë pas Uayne Rooney dhe bëhet anglezi që ka shënuar më shumë në Champions League. Ndërkohë Thomas Muller kaloi Xavin për t’u bërë lojtari me më së shumti paraqitje në UCL për një klub të vetëm (152). Për Dinamo Zagreb 17 minuta nga fundi u aktivizua edhe Arbër Hoxha, sulmuesi i Kombëtares.

Në “Bernabeu”, Real Madridi nuk e pati të lehtë për të fituar 3-1 kundër Stuttgartit. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa u deshën vetëm 16 sekondat e fraksionit të dytë që Mbappe të tundtte rrjetën. Gjermanët barazuan me Undav në minutën e 68, me sfidën që u vendos vetëm shtatë minuta nga fundi me golin e Rudiger. Modric ishin vendimtar me pasimin final, për të bërë që Rudiger të shënonte. Më pas Endrick në shtesën e gjashtë shënoi golin e tretë.

Në “Jose Alvalade” të Lisbonës, Sportingu mposhti 2-0 Lillen. Gyokeres dhe Debast shënuan në secilën pjesë, ndërsa për miqtë në fushë luajti edhe Edon Zhegrova, por pa mundur të ndihmojë ekipin e tij.

Bayern Munich, Aston Villa, Juventus, Liverpool, Sporting dhe Real Madrid shijojnë tri pikët e para në formatin e ri të Champions League.

Kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube është rinovuar me një format të ri, i cili përfshin një grup të vetëm ku do të marrin pjesë 36 skuadra, 4 më shumë se në edicionet e fundit. 8 më të mirat do të kualifikohen për në fazën e 1/8-ve, ndërsa nga vendi i 9-të deri në 24-t do të luajnë play-off.

Champions League, raundi 1:

E martë, 17 shtator 2024

18:45

Juventus 3-1 PSV

Young Boys 0-3 Aston Villa

21:00

Milan 1-3 Liverpool

Bayern Munich 9-2 Dinamo Zagreb

Real Madrid 3-1 Stuttgart

Sporting Lisbone 2-0 Lille

Advertisement