Connect with us

Kosova

SHBA-ja të ndihmojë Kosovën, Mali i Zi është i humbur, Maqedonia në rrezik

Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara (SHBA), njëherësh njohës i dalluar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka rekomanduar administratën amerikane të ndihmojë Kosovën në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në veri të vendit.

Në një artikull autorial kushtuar rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe “planeve serbe” në rajon, profesori ka konsideruar se është koha e fundit që Kosova – ashtu sikurse çdo shtet tjetër sovran – të jetë në gjendje të mbrojë integritetin e saj territorial.

“Kosova ka një kryeministër popullor, i cili ushtron autoritet sovran në veriun e Kosovës me shumicë serbe në mënyra që u shkakton druajtje amerikanëve dhe evropianëve. Ata duan që ai të konsultohet dhe të marrë leje për çdo gjë që bën që mund të shqetësojë ose serbët e Kosovës ose Serbinë” –  ka shkruar Serwer, I cili gjithashtu ka argumentuar se objektivat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë: qeverisja demokratike e bazuar në të drejta të barabarta e garanci të arsyeshme për pakicat dhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetin territorial pa përdorim apo kërcënim të forcës. Ai ka shtuar se kërcënimi kryesor është përkushtimi i Serbisë ndaj asaj që ajo e quan “botë serbe”.

Gjithashtu Serwer ka theksuar se administra amerikane duhet të braktisë politikën e qetësimit ndaj Serbisë.

“Zbutja e Serbisë nuk funksionon. As ndëshkimi i Kosovës nuk funksionon. Mali i Zi aktualisht është i humbur. Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë në rrezik”, ka alarmuar profesori amerikan.

“SHBA-ja duhet të mbështesë përpjekjet e Prishtinës për të qeverisur në mënyrë të barabartë në veri të Kosovës dhe të ndihmojë në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në këtë drejtim”, ka shtuar mes tjerash Serwer, ndërsa ka rekomanduar administratën amerikane të kritikojë synimet irredentiste e antidemokratike të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ndaj fqinjëve rajonalë.

Kujtojme se bashkësia e organizuar ndërkombëtare në krye me SHBA-të pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit, pavarësisht justifikimit të zyrtarëve institucionalë se lëvizjet e fundit janë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në veriun e banuar me serbë etnikë.

Advertisement