Connect with us

Kosova

Prapaskenat/ A u tërhoq Qeveria nga hapja e njëanshme e urës së Ibrit?

Zyrtarët qeveritarë për shumë muaj u shprehen të bindur se do të bëhet hapja e Urës së Ibrit për kalimin e automjeteve, madje autoritet kosovare filluan dhe mbaruan procedurat e testimit të fuqisë së mbajtjes së urës, gjithashtu e ngjyrosën. Këto ishin vetëm disa nga hapat e një anshëm të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit.

Këto veprime të zyrtarëve qeveritar çdo herë kundërshtoheshin nga ndërkombëtarët, të cilët kërkonin që çështja e hapjes së Urës së Ibrit të ishte temë diskutimi në dialogun Kosovë – Serbi.

Pas gjithë këtyre veprimeve, tashmë zyrtarët nga Qeveria e Kosovës duket se janë tërhequr nga hapja e njëanshme e urës, përderisa të njëjtit tashmë po përmendin koordinimin.

Çka u tha nga Qeveria.

Një javë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se Qeveria është gati për hapjen e urës së Ibrit.

Ai ka deklaruar se tani janë në pritje të QUINT-in dhe KFOR-it për këtë çështje, duke e përmendur koordinimin me këta mekanizma.

Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme. Besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, kryediplomatja, Donika Gërvalla, ka thënë se ura nuk po hapet tani, duke shtuar se vetëm po “përgatitet situata”.

Ajo tha se koha është për të hapur urën që të jenë të lumtur qytetarët e dy pjesëve të qytetit.

Po, situata kohë pas kohe është e tensionuar, por, siç e dini, në Kosovë, në Turqi, në Slloveni, urat janë aty për të lidhur jo vetëm pjesët e qytetit, por edhe njerëzit. Pra s’ka asgjë të keq edhe provokative në hapjen e një ure. Është koha për të hapur urën dhe ne do ta bëjmë atë në një mënyrë që qytetarët e të dy pjesëve të qytetit do të jenë të lumtur që po e shohin hapjen e urës. Sepse në afërsi të asaj ure është një nga simbolet e fundit të Millosheviqit në vendin tonë”, tha Gërvalla për mediumin turk në gjuhën angleze “TRT World.

Nuk po e hapim tani. Ne jemi duke u bërë gati për të hapur në një moment kur është e përshtatshme për qytetin, qytetarët dhe për vendin tonë. Pra derisa po përgatitemi, ne jemi duke i bërë të gjitha çështjet teknike që janë të nevojshme, sepse kjo urë nuk është përdorur për një kohë për automjete dhe ne jemi duke i bërë të gjithë hapat teknikë. Ne jemi duke u përgatitur në takimin me qytetarët në të dy pjesët e qytetit përmes kryetarëve dhe politikanë të tjerë. Pra ne jemi duke e përgatitur situatën që hapja e urës të jetë një ditë hareje për të gjithë” , shtoi Gërvalla.

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka pranuar se deklarimi i tij se hapja e urës së Ibrit gjatë verës, nuk do të ndodhë, kjo për shkak siç ka thënë ai të koordinimit me aleatët.

Vokrri ka thënë se deklarimi i tij ka ardhur duke u bazuar që për hapjen e saj ka një marrëveshje e mbi të gjitha lira e lëvizjes është e drejtë elementare.

Nuk kemi parë asnjë arsye që të ketë një reagim kaq të madh dhe do të thoja edhe të vrazhdë të shteteve QUINT-it në përgjithësi të bashkësisë ndërkombëtare, sepse nga Beogradi do ta kishim pritur. A do të hapet apo jo ne s’kemi dilema, ajo duhet të hapet dhe jam o sigurt se do të hapet, ndonëse afati që kam përmend gjatë verës, më gjasë për shkak të koordinimit duhet të shtyhet po ajo duhet të hapet.” – ka deklaruar Vokrri.

Advertisement