Politike
Për ata që besonin se Rama do e lëshonte Erion Velinë
Nga Armand Shkullaku
Të gjithë ata që prisnin “lëshimin e madh” të Erion Velisë nga Edi Rama, në asamblenë që përcaktoi drejtuesit e rinj të qarqeve në PS, kanë mbetur të zhgënjyer. Që nga shpërthimi i skandalit “5D”, ku një vjedhje kolosale e parave publike nga drejtuesit më të lartë të bashkisë doli sheshit, zërat se këtë herë Veliaj nuk do t’i shëptonte një hetimi penal erdhën duke u shtuar. Marrja në pyetje për rreth 7 orë e kryebashkiakut për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe nisja e një hetimi jo shumë të qartë pasuror për familjarët e tij, e përforcoi bindjen se kryeministri do ua linte duart e lira prokurorëve të SPAK.
Por ndërsa SPAK po i zvarriste çështjet ku dyshohej roli i kryebashkiakut, (madje në aktakuzën për inceneratorin e Tiranës ai u la jashtë), ata që ende vazhdojnë të kenë një besim të pashpjegueshëm tek “drejtësia e re” dhe tek një teori absurde për gjoja një konflikt Rama- Veliaj, prisnin me optimizëm asamblenë e qershorit, ku, sipas tyre, Rama do e shkarkonte Veliajn nga drejtues i qarkut dhe do i jepte kështu sinjalin e shumëpritur SPAK.Kjo kategori optimistësh është shumë laramane. Në të bëjnë pjesë naivët që mendojnë se SPAK është një institucion i pavarur që mund të funskionojë në një regjim autokratik, duke injoruar me kokëfortësi faktet kur organi i akuzës ka qenë në sinkron me interesat e kryeministrit. Veç naivëve, në këtë kategori bën pjesë dhe një numër jo i vogël rilindasish që më shumë shpresonin se sa besonin, që Edi Rama do ta çgradonte Veliajn në shtator. Pakënqësia që lideri lëshonte tavolinave ndaj kryebashkiakut, fuqia e jashtëzakonshme që ai i veshi Belinda Ballukut, kunjat në takimet partiake dhe frika e skandaleve të tjera që thuhet se mund ta implikojnë sërish delfinin e Ramës, i dhanë jetë idesë së një ndëshkimi të mundshëm të boss-it ndaj çirakut plangprishës.
Si pjesë e tretë e kësaj kategorie janë edhe ata opozitarë të Ramës që në mënyrë të pakuptueshme jetojnë në iluzionin e një konflikti mes tij dhe Veliaj. Në dalje publike, debate, shkrime e fjalime, eksponentë të opozitës e kanë shndërruar në realitetin e tyre këtë të ashtuquajtur konflikt. Dhe nisur nga kjo premisë e marrë, ata i janë bashkuar idesë “optimiste” se Rama do e lëshonte Veliajn në duart e SPAK. Akti pritej të ndodhte në shtator.
Në një vend ku të gjitha pushtetet kontrollohen nga një njeri i vetëm, është normale që si “shpëtim” të nisin e përjetohen teoritë konspirative. Kur nuk ka rrugë për të thyer autokracinë, fillojnë të çelen shtigjet e absurdit. Rama do të eleminojë Velinë se e shikon si rrezik për pushtetin e tij në të ardhmen, Dumani nuk ia harron lobimin kundër tij në zgjedhjen për kreun e SPAK, amerikanët nuk e ftuan në iks festë, Rama nuk i dha dorën, retushoi fotot, nuk i qeshi etj etj. Në mungesë të zgjidhjeve të tjera, këto çikërrima i mbivendosen realitetit. Madje ato kthehen në argumenta duke asgjesuar analizën e ftohtë dhe logjikën politike të pushtetit të Ramës.
Sepse nëse nisesh pikërisht nga këto të fundit, Edi Rama nuk kishte asnjë motiv të lëshonte njeriun, të cilit i ka dhënë aq pushtet sa ka dashur t’i japë dhe të cilin e ka nën kontroll të plotë nëse do të guxonte të mendonte se mund ta drejtonte shtyllën kurrizore. Në një pushtet ku servilizmi paguhet, Veliaj sigurisht meriton pagesën më të lartë. Po të mos biesh në kurthin e konspiracioneve të pashpresa, por të mbështetesh tek argumentat dhe analiza, ajo që ndodhi në asamblenë e shumëpritur ishte e kuptueshme.
Në radhë të parë Edi Rama nuk mund të ndëshkojë një model të bashkisë që është mot à mot modeli i tij i qeverisë. Veliaj, si nxënës shembullor, ka ndjekur ekzaktësisht mësimet e mjeshtrit të madh. Nëse Rama do e lëshonte Velinë në duart e SPAK, çfarë arsyetimi do të kishin prokurorët për të mos hetuar nesër edhe vendimarrjet në qeveri? Rama pra nuk mbron Velinë, por veten dhe modelin e tij.
Por janë dhe arsyet pragmatike, që fare lehtë i rrëzojnë pritshmëritë e “optimistëve” tashmë të zhgënjyer. A i intereson Edi Ramës të hyjë në zgjedhje për Bashkinë e Tiranës përpara zgjedhjeve të përgjithshme? A do të njollosej më shumë pushteti i tij me një kryebashkiak të fuqishëm në detyrë që merret i pandehur? Për të mos folur pastaj për lehtësinë e infrastrukturës së krijuar nga kryetari i bashkisë në gjithë këto vite, ku paratë e 5D-ve janë derdhur për qëllime elektorale tek votuesit, mediat e deri tek kundërshtarët politikë. Ku pushteti i madh që ka adminstrimi i kryeqytetit është investuar tek bizneset, individët me ndikim dhe klanet kriminale që qarkullojnë miliona.
Pra a ka logjikë që kryeministri t’i hyjë një aventure të tillë, meqë nuk e duroka dot kryebashkiakun apo se nesër ai mund t’i rrezikojë karriken? Ramës i intereson dhe argëtohet me teoritë e çartura të një konflikti në PS, madje dhe i inkurajon ato duke i servirur si të vetmen shpresë të kundërshtarëve për të kërcënuar pushtetin e tij. Por ai nuk ka as interesa politike dhe as llogari pragmatike ta lëshojë delfinin e tij. Më parë mund të besohet që Altin Dumani të jetë një prurje e re në PS se sa SPAK të marrë leje për të hetuar Erion Velinë. ©lapsi.al