Connect with us

Bota

E rrëmbyen kur ishte 6 vjeç, gjendet pas 70 vitesh

Luis Armando Albino, i rrëmbyer kur ishte vetëm 6 vjeç, teksa luante në një park në Kaliforni është gjetur 70 vite më vonë, me ndihmën e një testi të ADN-së së kryer në internet, fotove të vjetra dhe copëzave të gazetave.

Mediat raportojnë se si mbesa e Albinos të zhdukur në vitin 1951, me ndihmën e policisë, FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë, arriti të gjejë xhaxhain e saj që jetonte në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara. Albino është një zjarrfikës në pension dhe veteran i marinës që shërbeu në Vietnam. Këtë e tregon mbesa e tij, Alida Alequin, e cila e ribashkoi me familjen e tij kaliforniane qershorin e kaluar.

Rrëmbimi

Më 21 shkurt 1951, një grua joshi djalin 6-vjeçar nga parku West Oakland ku ai po luante me vëllain e tij më të madh dhe, duke folur në spanjisht, i premtoi djalit të vogël të lindur në Porto Riko, se do t’i blinte karamele. Gruaja rrëmbeu Luisin, duke e çuar në Bregun Lindor, ku u rrit nga një çift që e trajtuan atë sikur të ishte fëmija i tyre. Ai kishte gjithmonë kujtime nga rrëmbimi i tij por kurrë nuk kishte marrë përgjigje nga prindërit.

Zbulimi

Për më shumë se 70 vjet nuk kishte asnjë lajm për Luis Armando Albino, por ai ishte gjithmonë në zemrën e familjes së tij dhe fotografia e tij varej në shtëpitë e të afërmve, siç thotë mbesa e tij. Nëna e tij vdiq në vitin 2005, por nuk i humbi kurrë shpresat për të gjetur të birin gjallë. Kjo deri kur mbesa e saj, Alida Alequin iu nënshtrua një testi gjenetik në vitin 2020, i cili tregoi një përputhje të pjesshme me ADN-në e një burri që përfundimisht doli të ishte Albino.

Kjo ishte e dhëna e parë që e shtyu gruan të besonte se xhaxhai i saj ishte ende gjallë. Alequin u përpoq të kontaktonte me të, por nuk mori asnjë përgjigje. Në vitin 2024, me ndihmën e vajzave të saj, gruaja bëri disa kërkime dhe në bibliotekën e qytetit gjeti video dhe artikuj nga gazetat lokale të kohës që flisnin për zhdukjen e xhaxhait të saj.

Artikujt e Oakland Tribune nga ajo kohë raportonin një dislokim të madh të forcave për të gjetur fëmijën e zhdukur. Operacionet që zgjatën me muaj dhe përfshinin policinë, ushtarët e një baze ushtarake lokale, rojet bregdetare dhe qytetarët nuk çuan në asnjë rezultat. Vëllai i tij, Roger Albino, ishte marrë disa herë në pyetje nga hetuesit në përpjekje për të rindërtuar atë që ndodhi dhe kishte mbajtur gjithmonë të njëjtin version: atë të një gruaje, e cila i kishte marrë vëllain e tij.

 

Advertisement