Connect with us

Kosova

Dy arbitra me bilbil që nuk i frynë asnjëherë/ Kurti sulmon Borrellin dhe Lajçakun

Kryeministri i Kosovës ka bërë përgjegjës edhe përfaqësuesit evropianë për ngërçin në dialog, krahas presidentit të Serbisë që strehon paramilitarët serbë.

Albin Kurti, ka kritikuar shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe emisarin special për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa i ka krahasur ata me një arbitër futbolli që nuk përdor bilbilin në fushë, që nënkupton se nuk e kanë goditur me ndëshkime Serbinë për shkelje në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.

“Problemi është se Borrelli dhe Lajçaku nuk kanë fishkëllyer kur ka pasur shkelje. Imagjinoni një arbitër që lëvizë përreth një fushe futbolli pa bilbil” – ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar në një intervistë të shkurtër për gjigantin “Politico” një ditë pas “drekës ballkanike” të organizuar nga Komisioni Evropian.

“Qasja e Serbisë nuk është për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën. Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?”, ka shtuar mes tjerash Kurti.

“Kur ai flet Vuçiç, unë nuk ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet” –  ka theksuar kryeministri, duke fajësuar Serbinë për mungesën e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe strehimin e kreut të grupit paramilitar serb, Millan Radoiçiç, i cili ka kryer sulm terrorist në territorin e Kosovës vitin e kaluar.

Advertisement