Connect with us

Kosova

Jeni shtet sovran, por KFOR-i ka 5 mijë ushtarë në Kosovë, prandaj duhet koordinim

Ambasadori italian kërkoi që Qeveria e Kosovës të koordinohet për aksionet në Veri të Kosovës, meqë KFOR-i është garantues edhe i sigurisë së jashtme të shtetit të Kosovës me 5 mijë ushtarë të pranishëm

“Dikush mund të thotë se pse duhet të koordinohemi me komunitetin ndërkombëtarë kur jemi shtet sovran. Ju jeni një shtet sovran dhe askush nuk do ta kontestojë sovranitetin, por nëse brenda Kosovës aktualisht janë rreth 5 mijë ushtarë të NATO-s, kjo natyrisht tregon se ekziston një arsye se këta 5 mijë ushtarë që janë këtu për të garantuar sigurinë edhe të jashtme të shtetit të Kosovës duhet të konsultohen”, ka thënë Antonello De Riu në një intervistë për Kanal 10.

Një konsultim i tillë, sipas diplomatit italian, duhet të ketë edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Duke folur për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, De Riu ka vlerësuar se ende nuk është momenti që këto masa të zvogëlohen.

“Sa i përket masave, ne jemi të parët që kërkojmë që këto masa të zvogëlohen, ky zvogëlim duhet të ndodhë në mënyrë progresive dhe në të njëjtën kohë duhet të arrihet një konsensus nga ana e të gjitha shteteve të BE-së. Ka shtete që deri tani ende nuk e konsiderojnë që ka ardhur momenti që këto masa të zvogëlohen”, ka theksuar ambasadori De Riu

Advertisement