Politike
Duka: Aksionet’ e mia 44 mijë vota, dua deputetë të sigurt
Në mesin e betejave ligjore me drejtësinë, atyre politike me Edi Ramën, e mos-bindjes civile të paralajmëruar pas arrestimit të deputetit të saj Ervin Salianjit, Partia Demokratike pritet të nisë edhe një tjetër sfidë të rëndësishme: atë të negociatave me aleatët për të qenë bashkë në zgjedhjet parlamentare të 2025.
Mes tyre, Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste është ende mes dilemës nëse duhet t’i bashkohet apo jo koalicionit opozitar për sfidën e radhës elektorale.
Për Report Tv, ai thotë se Kodi Zgjedhor u imponon partive të vogla strehimin nën një koalicion, por PD duhet të vlerësojë drejt votat që Partia e tij ka kapacitetin t’i sjellë.“Kodi Zgjedhor aktual është penalizues për partitë e vogla. Në këto kushte, partitë e dimensioneve tona, e kanë të domosdoshme të bashkëpunojnë me një nga blloqet e mëdha, PD ose PS. Nëse PD do të na mbajë në konsideratë, të na vlerësojë siç duam ne, atëherë mund të futemi me PD, në kushtet aktuale, është mundësia e vetme për të pasur përfaqësues në parlament. Aksionet tona, janë votat tona, nuk bëhet fjalë për kushte, në zgjedhjet e fundit vendore morën 44 mijë vota.. Ne i ofrojmë votat, sipas këtyre votave, ne na takon të kemi më shumë se 1 mandat në listat hermetike të mbyllura, ndërsa jashtë duam në çdo qark, sepse s’kemi si i mbledhim votat, nëse shihet e arsyeshme, heqim vetëm nga qarqet e vogla”, tha Agron Duka.
Megjithatë, Duka pranon se opozitës i duhet ende shumë punë për të qenë gati për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.“Përsa i përket cështjeve organizative, nuk e shoh mirë, ka probleme të menaxhimit, drejtuesi i opozitës është në arrest, nuk bëhet fushatë elektorale, në mënyrë virtuale. Këto janë kosto të opozitës, është e paorganizuar aty ku duhet”
I gjendur në këto dilema, Agron Duka nuk do t’i thoshte jo, një aleance të mundshme me Edi Ramën, duke i rrezikuar PD-së humbjen e një prej aleatëve me më shumë vota.
Pyetje: A keni vijë të kuqe për bashkëpunim?
Përgjigje: Nuk kemi!
Gjithsesi Trenin e Partisë Demokratike drejt zgjedhjeve të 2025 e kanë braktisur tashmë disa prej aleatëve. Të parët që zbritën në stacion ishin çamët e Shpëtim Idrizit, bashkë me një numër të madh votash. Pas tyre edhe Dashamir Shehi aleat tradicional i Partisë Demokratike shpalli divorcin me demokratët duke paralajmëruar një koalicion të ri opozitar.
Besnikë vijon t’i qëndrojë Ilir Meta e të vegjlit si Dule, Mediu e Ndoka, që gjithsesi llogaritë elektorale i kanë ende në tryezë.