Kosova
Ukraina gabon…/ Kurti flet pa dorashka: Kievi po bën analogji të gabuara mes Donbasit, Krimesë dhe Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve ukrainase UNIAN, kur është pyetur per çështjen e Kosovës dhe njohjen e saj nga Ukraina, ka potencuar se autoritetet ukrainase po bëjnë disa analogji të gabuara mes situatës në Donbas, Krime dhe Kosovë
“Nëse ka paralele, kjo është vetëm midis forcave proruse dhe strukturave ilegale të Rusisë në Krime dhe Donbass si edhe strukturave serbe që kemi në Kosovë, veçanërisht në Veri”, ka deklaruar Kurti
Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, ai ka potencuar se Kosova është e indinjuar nga ky agresion ushtarak “i paligjshëm, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë”.
“Ne duam që Ukraina të fitojë. Kjo fitore, nga këndvështrimi im, do të thotë çlirim i të gjithë territorit të vendit nga trupat ruse, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët, respektim i sovranitetit shtetëror dhe të drejtave të njeriut”, ka shtuar kryeministri
Mbështetja e Kosovës ndaj Ukrainës, sipas Kurtit ka edhe qëllime politike.
“Një arsye tjetër e mbështetjes tonë për Ukrainën është më shumë politike, e lidhur me pasojat e mundshme për Ballkanin. Mund të supozohet se Rusia ka plane për të zgjeruar luftërat që po bën. Përfshirë territorin e rajonit të Ballkanit” – ka theksuar Kurti.