Connect with us

Politike

Shehi: Mosbindje civile? Të ndërmarrim aksionet që jemi të zotë t’i bëjmë

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi thotë se opozita duhet të gjejë alternativë, pasi ish kryeministri Sali Berisha nuk është ofertë e re për të ardhur në pushtet.

Shehi u shpreh se me deputetë të PD ka gjëra që i ndajnë, por edhe i bashkojnë.

Lidhur me protestën e thirrur nga Berisha më 7 tetor, për mosbindje civile, Shehi deklaroi se opozita duhet të ndërmarrë aksione të cilat mund t’i realizojë.

“Duhet të gjejë edhe disa alternativa, duhet të gjejë një ofertë të re. Dhe fatkeqësisht, Berisha nuk bën më ofertë të re. Nuk kemi alternativë atëherë, nuk kemi ndërrim. Ikën ky dhe vjen ai që ishte. Si logjikë klasike njerëzore, thonë, si është e mundur? Mirë se të vijë, kushdo që është një ndryshim, që është një alternativë. Grupi i Berishës, është më i madhi, nuk e diskuton njeri. Por nuk mjafton më, nuk është më alternativë fituese. Unë, për veten time, për aq pak kontribut modest, i them, ne të tjerët që mendojmë ndryshe, hajde mblidhemi, të bëjmë një grup alternativ.

E dyta, formula elektorale, të gravitojë vota te ai që është grupi më i madh. Në mënyrë logjike fillon dhe graviton. I ftoj kolegët që mendojnë njësoj si ne. Na puqin shumë gjëra, por na ndajnë edhe shumë gjëra. Në finale na bashkojnë dy gjëra. Dëshira për të larguar këtë qeveri të korruptuar. E dyta, të ndalojmë autoritarizmin politik, autokracinë e Edi Ramës. Këto dy gjërat besoj se na bashkojnë. Kush na ndan me këto zotërinjtë e tjerë? Na ndan ky raporti me drejtësinë e re. Kam edhe unë dyshimet e mia. Gjithsesi, po ndodhin disa gjëra që duhen inkurajuar. Besoj, kam shpresë, edhe nën presionin e ndërkombëtarëve, që këto njerëz do bëjnë diçka.

Na ndan një temë tjetër, tani e kaluam ligjin zgjedhor. U dhunua në mënyrë definitive, është formula më e keqe që ka hyrë. E bënë bashkë. U bë gjithë ajo luftë në parlament, u shuajt ai zjarr brenda një nate. Mbyllen marrëveshjet, do t’u vijë turp pas disa vitesh. Tani ka filluar një luftë tjetër. Kuadrot e partisë nuk i pëlqen parlamenti, partia mbi të gjitha. Jo, ne jemi shtet. Parlamenti mbi të gjitha. Salianji ku e bëri atë denoncim? Në parlament? Atje ka vlerën simbolike. Bardhi ku e bëri denoncimet për përegjimet, Tabaku për inceneratorët? Në parlament i bëri. Duan të bëjnë demonstratë, protestë. Gati jemi. Thonë, mosbindje civile, fillon revolucioni me datë 7. Këto janë fjalë të mëdha kur hypin në tribuna. Po me datë, 8,9 çfarë do bësh nga tribuna bosh? Nëse nuk i bllokon dot rrugët, pse e ngre stekën atje ku nuk mbërrihet? Ngre pritshmëri të madhe në popullatë dhe zhgënjehet. Ne do marrim ato aksione që jemi të zotë për të bërë. Nuk bëhet politikë sot për nesër”, theksoi ai.

Advertisement