Lifestyle
3 muaj betejë me jetën, ndërron jetë i riu që u plagos nga shpërthimi me tritol në banesën e motrave Nikolli në Elbasan! Xhovana akuzoi Dumanin si porositës
TIRANË- Një shpërthim me tritol për motrat Nikolli në Elbasan rreth 3 muaj më parë, i mori jetën padrejtësisht një të riu. 26-vjeçari Enea Thomaraj ka ndërruar jetë, pasi mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i 14 korrikut në banesën e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli.
Burime për Shqiptarja.com konfirmojnë se riu ndërroi jetë në spitalin e Traumës mesnatën e 4 tetorit dhe nuk ia doli dot betejës gati 3 mujore për t’u shpëtuar plagëve që mori padrejtësisht nga një shpërthim që nuk ishte shënjestër.
Shpërthimi ndodhi më 14 korrik 2024, në katin e katërt të një pallati në lagjen “Haxhias” të Elbasanit, aty ku banonin prej dy muajsh edhe dy motrat, të cilat si porositës të shpërthimit me tritol kanë akuzuar të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.
Autori i kësaj ngjarjeje ende nuk është vënë para drejtësisë. Policia e Elbasanit ka informuar më herët se e ka identifikuar personin që ka vendosur tritolin në banesën e dy motrave Nikolli, por ende nuk është rënë në gjurmët e tij.
Babai i 26-vjeçarit, duke folur pas shpërthimit të 14 korrikut kërkoi drejtësi, ndërsa tha se djali ishte çuar për të shkuar në tualet, kur nga shpërthimi i fuqishëm i tritolit, i ka rënë dera sipër. Dy motrat Nikolli dhe familja Thomaraj janë fqinjë.
Pas kësaj ngjarje, Xhovana Nikolli akuzoi drejtpërdrejt Nuredin Dumanin, si autorin e vendosjes së tritolit. Dumani njihet si rivali i partnerit të saj, Amarildo Nikolli.
Dosja e shpërthimit me tritol po hetohet nga SPAK, së bashku me dosjen e Nuredin Dumanit pasi motrat Nikolli akuzuan të penduarin e drejtësisë, me të cilin njëra prej tyre, Alda, kishte nisur një romancë.