Sport
Starti më i keq në histori për United, traversa dënon ten Hag: Chelsea bllokohet nga Nottingham
Në javën e 7-të të Premier League, Chelsea barazon në shtëpi kundër Nottingham Forest: Wood zhbllokoi ndeshjen për miqtë, ndërsa Madueke siguroi barazimin final 1-1. Mundësi e madhe e humbur nga skuadra e teknikut Maresca, pavarësisht mundësisë për të luajtur me një lojtar më shumë nga minuta e 78’ (Ward-Prowse u përjashtua me karton të kuq). Aston Villa dhe Manchester United barazuan gjithashtu: Bruno Fernandes goditi traversën në pjesën e dytë nga një goditje dënimi, por ndeshja përfundoi 0-0.
CHELSEA-NOTTINGHAM FOREST 1-1
Në ndeshjen në Stamford Bridge, Nottingham Forest tentoi rrethimin për rreth çerek ore lojë, pa rezultat. Chelsea, nga ana tjetër shkonte në goditje me lehtësi, por ajo që mungonte ishte saktësia: në fund të pjesës së parë Sels i mohoi një gol Enzo Fernandez, duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-0. Më pas rezultati u zhbllokua në fillimin e pjesës së dytë, kur Forest kaloi në epërsi: Wood shënoi në minutën e 50’, pas një devijimi me kokë të ish-lojtarit të Fiorentinës, Milenkovic.
Kaluan vetëm shtatë minuta dhe Madueke barazoi për Blues, falë një finalizmi të bukur me të majtën në shtyllën e largët. Nottingham mbeti me dhjetë lojtarë në minutën e 78’, kur Ward-Prowse u përjashtua për kartonin e dytë të verdhë. Në kohën shtesë protagonist u bënë portierët Sels e Sanchez me pritjet që shpëtuan rezultatin. Një barazim që i rri ngushtë Chelsea, me 14 pikë në renditje. Nottingham Forest në vend të kësaj arrin në kuotën 10.
ASTON VILLA-MANCHESTER UNITED 0-0
Një klasike e futbollit anglez u vu në skenë në Villa Park, me Manchester United që provoi i pari me Rashford, ndërsa Aston Villa u përgjigj menjëherë me Rogers, që megjithatë gjeti vetëm pjesën e jashtme të rrjetës. Një pjesë e parë pa emocione përfundoi pa gola, pas një tentative të fundit të Garnacho. Edhe pas rifillimit ishte Rashford që provoi, por tentativa e tij fshikulloi traversën. Tielemans dhe Watkins më pas u përpoqën të zgjojnë Villans, pa mundu të kalojnë Onana. Ai që iu afrua më shumë shënimit ishte Bruno Fernandes, goditja e dënimit e të cilit u stampua në traversë.
Villans mund të kishin rrëmbyer fitoren në shtesë me Philogene, i cili u bllokua nga Dalot. Në Birmingham u mbyll 0-0 një sfidë e luftuar, por pa emocione të mëdha. Barazimi i dytë radhazi për Aston Villa, që ngjitet në 14 pikë, ndërsa Manchester United është tani me 8 pikë.