Connect with us

Shkrime

Berisha se rrëzon dot Ramën me demokratët e Laçit dhe Mamurrasit, siç mburrej dikur

Nga Andi Bushati

Opozita nuk i’a ka dalë dot, në ciklin e katërt të protestave, atë për t’u afirmuar përmes dhunës. Të hënën e 7 tetorit, PD vërtet arriti ti vërë flakën portretit të Edi Ramës mbi fasadën e PS-së, vërtet i mbushi me tym, flakë e gaz lotësjellës të gjitha institucionet kryesore të qeverisjes, por ajo nuk qe në gjendje të shkojë përtej simbolikës.

Në këtë kuptim, duke u krahasuar me tre ciklet e mëparshme të periudhës së rifillimit të protestave, që rinisën në vitin 2022 (pas një tredhje gati tre vjeçare të epokës Basha), kjo e tanishmja mund të konsiderohet një dështim.

Kur në 7 korrik 2022 Berisha u bëri thirrje të vetëve të derdheshin në rrugë, demokratët të përmalluar për atë çka dinë të bëjnë më mirë i’u përgjigjën në mënyrë impresionuese. Në atë kohë, kur simbolet, vulën dhe përfqësimin e partisë, pushteti këmbëngulte ti mbante te dyshja Basha – Alibeaj, kjo lëvizje u konsiderua si një sukses. Qëllimi ishte të krijonte përshtypjen në publik se Rithemelimi ishte PD-ja e vërtetë dhe ajo përgjigje e militantëve e përforcoi këtë bindje.

Gjithashtu të suksesshme mund të konsiderohen edhe mitingjet e organizuara për ti treguar ndërkombëtarëve se ky vend nuk ishte ai që ata u përshkruajnë shqiptarëve. Edhe në protestën e 6 dhjetorit 2022, atë që zhvillua njëkohësisht me samitin e kryeministrave të BE dhe Ballkanit perendimor në Tiranë, ku një dorë e padukshme, e nxitur në rastin më të mirë nga gjuha e urrejtjes, goditi mbi Sali Berishën, apo qoftë edhe në demostrimin e 20 shkurtit, pesë ditë pas vizitës së Sekretarit Blinken në Tiranë, që i thuri ditirambe Edi Ramës, njërëzit u derdhën të shumtë në shesh.

Edhe ai që mund të konsiderohet si cikli i tretë, që celebroi në 11 korrik të këtij viti, bashkimin përfundimtar të PD dhe kalimin e pothuajse të gjithë deputetëve në grupin ku qëndronin edhe votuesit e militantët i’a arriti qëllimit. Pas një kalvari të gjatë, PD-ja e unifikuar ishte në të drejtën e saj të festonte një muaj pas rifitimit në gjykatë të vulës, siglës, flamurit që i përkisnin.

Por të treja këto lloje protestash, pavarësisht nga diversiteti i temave, kishin si fill të përbashkët afirmimin. Ato herë kërkonin të dëshmonin se kush qe shumica në opozitë, herë se në këtë vend ka një masë kompakte anti qeveritare, herë se drejtimi i marrë, qoftë edhe me përkrahje ndërkombëtare, nuk qe ai i duhuri dhe për ta arritur këtë, mjaftonte prezenca e një mase serioze pjesmarrësish. Në ciklin e katërt, atë që nisi këtë 7 tetor, sfida qe e ndryshme: ajo nuk kishte të bënte më me afirmimin, por me kundërshtimin me forcë. Pasi ishte dëshmuar si opozita e vetme e madhe në vend, pasi ishte konfirmuar me afro gjysëm milioni vota, PD kërkonte të respektohej si e tillë.

Por në vend të kësaj, ajo u përball me burgosje politike si procesi ndaj Salianjit, me rëmbim të mandatesh të humbura falë SPAK-ut dhe GJKKO, si në rastin e Himarës, me përdhosje të kushtetutës si për mandatin e Olta Xhaçës e me plot të drejta të tjera të nëpërkëmbura, si pengimi për të ngritur komisione hetimore, interpelanca apo komisione në kuvend. Dhe kur diçka që të takon ligjërisht ta rrëmbejnë padrejtësisht, nuk mbetet rrugë tjetër drejt forcës. Nuk ishte PD që zgjodhi të shkonte tek molotovi, ishte sjellja ndaj saj që i’a imponoi atë si rrugë të vetme.

Por pikërisht këtu, kur tentoi rrugën e forcës, ajo dështoi dhe kjo e ka një shpjegim. Boll që për këtë të bësh një krahasim të thjeshtë, mes protestës së organizuar nga opozita e Ramës në janar 2011 dhe kësaj të tanishmes. Dikur PS në opozitë kishte milionerët e saj që derdhnin shumë para të domosdoshme për organizimin e ndërmarrjeve të tilla. Ajo kishte në dispozicion, për më tepër edhe bandat kriminale, që siguruan kontigjentet që u përleshën me policinë dhe e zbrapsën atë në përballjen përpara kryeministrisë. Opozita e sotme është shumë më e dobët.

Ashtu siç ka futur në kontroll, institucionet e pavarura, prokuroritë, gjykatat apo televizionet kombëtarë, PS ka dominimin e plotë edhe mbi oligarkët si financuesë dhe bandat kriminale si ekzekutuesë evenimentetsh të tilla. Shprehja e dikurshme e Berishës se e rrëzon qeverinë vetëm me demokratët e Laçit dhe Mamurrasit tani duket si utopi. I tillë është dhe cikli i protestës opozitare që sapo filloi, ai për tu afirmuar përmes forcës.

Prandaj dhe ndryshe nga të parët ai dështoi. Sepse ky regjim ka asfiksuar gjithçka duke shndërruar në mision të pamundur edhe sfidimin përmes forcës, njësoj si atë përmes votës. I vetmi ngushëllim për PD-në mund të jetë se ajo nuk është humbësja e vetme e kësaj gjendje. Të tillë janë një pjesë e madhe e shqiptarëve që janë zhveshur nga mundësia për të jetuar në një sistem të barabartë dhe me ekuilibër forcash.

Advertisement