Connect with us

Kosova

S’ka karamele për Dodikun për zhbllokimin e marrëveshjes për heqjen e vizave me Kosovën

Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka paralajmëruar se do të vazhdojë presioni ndaj presidentit ultra-nacionalist të entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik, rreth zhbllokimit të marrëveshjes për heqjen e vizave me Kosovën, dhe se evropianët “nuk do të japin atij karamele” për këtë gjë.

Përkundër marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive. Megjithatë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka njoftuar se nga 1 janari, qyetetarët e Bosnje-Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim.

“E kemi bërë të qartë se kjo për ne është e domosdoshme… Por po ashtu ua kemi bërë të qartë se nuk do të japim karamele për këtë, nuk do të paguajmë, nuk do të ndryshojmë qëndrim persa i përket sanksioneve të Dodikut, sepse kjo ka të bëjë me përfitimet e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës”, ka deklaruar Sarrazin.

“Mendoj se çdo qytetar në Kosovë e kupton se nuk do t’i japim karamele Dodikut. Është pozitive dhe lëvizje e mirë nga Qeveria e Kosovës që t’i lejojë qytetarët e Bosnjës të lëvizin lirshëm në Kosovë. Ky është shpirti që promovon Procesi i Berlinit dhe shpresoj që përfaqësuesit e entitetit të Republikës Serbe të pajtohen” – theksoi emisari gjerman.

Dodik ka konfirmuar se nuk do të lejojë implemetimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës edhe pse kryeministri Kurti ka njoftuar të hënën në margjina të samitit të Procesit të Berlinit se Kosova nga fillimi i vitit të ardhshëm do të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjes.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, deri më tani, janë nënshkruar disa marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë implementuar akoma nga qeveritë nacionale.

Advertisement