Aktualitet
Nancy VanHorn takohet me Dumanin: SPAK s’mund ta bëjë punën vetëm
E ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane, Nancy VanHorn, zhvilloi një vizitë në SPAK, ku u takua me drejtuesin Altin Dumani mesditën e së enjtes.
Gjatë takimit, VanHorn vlerësoi arritjet e prokurorisë në ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, duke evidentuar rëndësinë e punës së SPAK-ut për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, ndërsa theksoi se ndonëse arritjet janë inkurajuese, është e domosdoshme që SPAK dhe BKH të mos veprojnë të vetëm në këtë betejë.
“E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, u takua sërish me Kryeprokurorin e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe diskutuan se si SPAK dhe BKH nuk mund ta kryejnë këtë punë vetëm. Ata duhet të mbështeten te institucione të tjera, si policia, gjykatat, zyrat e prokurorisë, zyrat e vetting-ut, inspektoratet dhe këshillat, të cilat duhet të kontribuojnë me pavarësi, përkushtim dhe integritet,” njofton ambasada e SHBA në Tiranë.
Kjo mbështetje është thelbësore për të mbrojtur përparimin që Shqipëria ka bërë në sundimin e ligjit, një element kyç i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. VanHorn theksoi se vetëm me një bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve të ndryshme, mund të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe efektive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo shprehu besimin se me angazhimin e duhur dhe përkushtimin e të gjitha institucioneve, Shqipëria do të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke garantuar një sistem të drejtësisë që funksionon për të gjithë qytetarët.