Bota
“Çmendet” Meloni/ Qeveria nuk njeh vendimin e gjykatës, Ministri presion drejtësisë
Ministri italian i Drejtësisë Calo Nordio, duke folur në një konferencë të mbajtur në Palermo të Siçilisë, iu referua vendimit të djeshëm të gjykatës në Romë, që ka të bëjë me kthimin e 12 emigrantëve nga qendrat e mbyllura në Shqipëri.
Më konkretisht, ministri italian dhe bashkëpunëtori i ngushtë e kryeministres së vendit, Giorgia Meloni, theksoi:
“Kur gjyqtarët tejkalojnë kufijtë e juridiksionit të tyre dhe besojnë se kanë kompetenca që nuk mund t’i ushtrojnë, siç është shpallja e një vendi të sigurt, politika, e cila shpreh vullnetin e popullit, duhet të ndërhyjë. Ne i japim popullit fjalën, nëse njerëzit nuk janë dakord me atë që bëjmë ne, shkojmë në shtëpi. Gjyqtarët – që janë të pavarur dhe autonome – nuk i japin arsye askujt dhe për këtë nuk mund të kenë kompetenca, të cilat janë në thelb dhe qartësisht politike”.
Ministri italian shtoi se “në lidhje me gjithë këtë çështje do të ndërmerren nisma legjislative” dhe se “vendimet specifike rrezikojnë të shkaktojnë incidente diplomatike, sepse kushdo që karakterizon një vend mik si Maroku si të pasigurt, mund të shkaktojë probleme”.
Vihet re se Italia ka ndërtuar dy qendra pritjeje në Shqipëri. Ky është plani i parë i një shteti të Bashkimit Evropian për të devijuar emigrantët në një vend jashtë BE-së.
Plani synon të parandalojë ardhjet e parregullta në Itali , por është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut që thonë se kufizon të drejtat e emigrantëve.
Rritja e presionit në Evropë mbi emigracionin ka bërë që shumë shtete të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Poloninë , të propozojnë ose miratojnë politika më të ashpra.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha këtë javë se vendi i saj po jep shembull për pjesën tjetër të Evropës me planin shqiptar. Një grup i vogël protestuesish u mblodhën në port të mërkurën.