Connect with us

Kronike

Pista të reja hetimi? Trondit nëna e 24 vjeçares: Vajza ime dhunohej barbarisht nga bashkëshorti

Nëna e 24-vjeçares Bleona Çobaj, e cila humbi jetën së bashku me dy fëmijët e saj në ngjarjen tragjike në Domen të Postribës, ka deklaruar se vajza kishte qenë viktimë e dhunës në familje, duke kërkuar një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Sipas saj, familjarët kishin mësuar rreth një vit më parë për pretendimet e së resë mbi dhunën që, sipas tyre, ushtrohej nga bashkëshorti. Ajo tha se familja kishte tentuar ta ndihmonte, por më pas 24-vjeçarja kishte tërhequr deklarimet e saj.

Nëna pretendon se kishte vënë re shenja në trupin e vajzës gjatë komunikimeve me video, ndërsa shton se kontaktet me të ishin kufizuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Sipas familjarëve, 24-vjeçarja nuk kishte një telefon personal dhe komunikimi zhvillohej kryesisht përmes telefonit të bashkëshortit.

Familjarët deklarojnë se disponojnë materiale që, sipas tyre, mbështesin pretendimet për dhunë dhe kërkojnë që ato të verifikohen nga autoritetet. Ata shprehen se presin që hetimet dhe ekspertiza mjeko-ligjore të zbardhin plotësisht shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 24-vjeçares dhe dy fëmijëve të saj.

Autoritetet nuk kanë dalë ende me përfundime zyrtare mbi shkaqet e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vijim.

Advertisement