Connect with us

Bota

Përmbytje masive në Italinë verilindore, një person humb jetën

Italia verilindore po përballet me përmbytje të mëdha. Për shkak të shiut të pandërprerë dhe vërshimit të lumenjve, pjesa më e madhe e qytetit të Bolonjës dhe rajoneve të Modenës, Emilia, Ravenna dhe Piacenza janë përmbytur.

Si pasojë e përmbytjeve, prefektura e Bolonjës, në zonën e Pianoro është gjetur i vdekur një burrë, makina e të cilit ishte marrë para nga vërshimet e ujërave. Në të njëjtën zonë vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një personi të zhdukur.

Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, nga mbrëmja e djeshme e së shtunës u ka bërë thirrje banorëve që të shmangin çdo lëvizje dhe të ngjiten në katet më të larta dhe në çatitë e pallateve. Ballafaqimi me problemet e ndryshme u vështirësua edhe më shumë sepse nuk kishte pasur parashikime të motit të keq.

Komiteti operacional i Mbrojtjes Civile Italiane, është mbledhur për t’i dhënë ndihmë shtesë personave që u detyruan të largohen nga banesat e tyre. Nga ana tjetër, dëmet, për sektorin e bujqësisë, në këtë fazë janë të pallogaritshme.

Sot vala e motit të keq pritet të shtrihet në Italinë e Poshtme dhe veçanërisht në zonat më të gjera të Napolit, Barit, Kalabrisë dhe rajonit të Bazilikatës. Në rajonin Veneto të Italisë verilindore, u vendos që të shtyhen të gjitha ndeshjet e futbollit amator për shkak të motit të keq.

Advertisement