Connect with us

Bota

“Ti nuk je mbreti ynë, na ktheni tokën tonë”, politikanja australiane shpërthen ndaj Charles në Parlament

“Ti nuk je mbreti im.” Kjo ishte thirrja me të cilën u prit në Parlamentin e Australisë, Mbreti Charles III i Britanisë së Madhe.

Senatorja indigjene Lydia Thorpe, e veshur me një pallto kamoshi si ato të paraardhësve të saj e akuzoi Mbretin Charles për gjenocid ndaj popullit aborigjen, duke i kërkuar që t’u kthejë atë që u kanë vjedhur britanikët.

“Ju bëtë gjenocid ndaj popullit tonë. Na ktheni tokën tonë. Na jep atë që na vodhe – kockat tona, kafkat tona, foshnjat tona, njerëzit tanë. Ju keni shkatërruar tokën tonë.

Ne duam një marrëveshje. Ne duam një traktat në këtë vend. Ju keni bërë një gjenocid”, tha Thorpe më një ton zëri tepër të lartë.

Teksa ekipet e sigurisë së Parlamentit e shoqëruan atë jashtë sallës, Thorpe vazhdoi të bërtiste duke thënë: “Kjo nuk është toka juaj. Ti nuk je mbreti im. Ti nuk je mbreti ynë”.

Teksa njerëzit e sigurisë u përpoqën të pengonin Thorpe që t’i afrohej monarkut, Charles iu drejtua kryeministrit australian Anthony Albanese dhe po bisedonin në heshtje në platformë.

Më herët, teksa Thorpe priste mes të ftuarve në Sallën e Madhe që çifti mbretëror Charles dhe Camilla të hynte, ligjvënësja ktheu shpinën nga një ekran i madh ku shfaqej Mbreti Charles duke qëndruar gjatë pritjes së tij zyrtare dhe interpretimit të himnit kombëtar.

Charles është në një vizitë pesë-ditore në Australi me mbretëreshën Camilla. Ai mbajti një fjalim të hënën para deputetëve dhe senatorëve në Sallën e Madhe të Parlamentit në Canberra, një moment kyç ky për udhëtimin e tij të parë në Australi si monark.

Incidenti me parlamentaren indigjene ndodhi pikërisht kur Charles mbaroi fjalimin e tij, në të cilin ai preku përvojën e tij si student në Australi, pandeminë COVID dhe rreziqet me të cilat përballet vendi nga ndryshimet klimatike.

Advertisement