Connect with us

Kosova

Të gjithë bashkë/ Britania kërkon nga Kosova themelimin e Asociacionit

Britania e Madhe do të vazhdojë që t’i bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kështu ka thënë ambasadori britanik në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland, gjatë raportimit të ushtruesit të detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Britania e Madhe do të vazhdojë të inkurajojë Kosovën që të sigurojë që komunitetet joshumicë të mund të luajnë një rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e vendit. Ne kemi qenë të qartë me të gjithë bashkëbiseduesit se çdo veprim që ndikon në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë kërkon konsultim të kujdesshëm me miqtë e Kosovës dhe partnerët e sigurisë, për të shmangur nxitjen e tensioneve dhe për të pafavorizuar më të cenuarit”, ka deklaruar Holland.

Të gjitha komunitetet joshumicë, potencoi ai, duhet të jenë të lira të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të integrohen më tej në shoqërinë kosovare.

Diplomati britanik gjithashtu ka theksuar se shteti që ai përfaqëson ndan vlerësimin me raportin e misionit të OSBE-së në Kosovë “për mungesën shqetësuese të progresit drejt normalizimit Kosovë-Serbi, i cili vazhdon të ketë implikime negative për jetën e përditshme të qytetarëve të zakonshëm dhe për stabilitetin më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”.

Holland ka potencuar se Mbreteria e Bashkua rithekson rëndësinë e garantimit të drejtësisë dhe llogaridhënies për të gjitha aktet e dhunës, duke shtuar se vazhdojnë që t’i bëjnë thirrje Serbisë që të “bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet për të mbajtur përgjegjësinë për sulmin tronditës në Banjske në shtator 2023 dhe dhunen mbi  trupat e KFOR-it të NATO-s në maj 2023”

Mbretëria e Bashkuar, ka vazhduar ai, mbetet një mbështetëse e gjatë dhe e fortë e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Ne jemi të përkushtuar për të mbështetur një demokraci gjithëpërfshirëse, të larmishme dhe multietnike në Kosovë dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në sistemin ndërkombëtar”, potencoi ndër të tjera Holland.

Advertisement